Nata e 19-të e spektaklit Ferma VIP në ekranin e Vizion Plus solli gjithçka që e ka bërë këtë format kaq të ndjekur, emocione të forta, debate, surpriza prekëse dhe një eliminim që ndryshon dinamikën e lojës.
Njëmbëdhjetë konkurrentët në nominim kanë qene në ankth gjatë kësaj jave. Nga votat e publikut rezultuan më pak të preferuarit Klevisa, Indri dhe Kostana, të cilët u përballën në një sfidë vendimtare për të siguruar qëndrimin në fermë.
Ishte Kostana ajo që arriti të triumfojë, duke siguruar shpëtimin dhe duke lënë përballë njëri-tjetrit në televotim Klevisën dhe Indrin.
Por kur të gjithë prisnin rezultatin e publikut, Indri befasoi me deklaratën e tij. Ai shprehu dëshirën për të lënë fermën.
Megjithatë, ne respekt të publikut dhe produksionit fermeri pranoi të përballej me televotimin. Në fund ishte pikërisht Indri ai që u largua nga gara, duke mbyllur kështu rrugëtimin e tij në Ferma VIP 3.
Paralelisht me emocionet e eliminimit, një nga temat më të diskutuara të javës u rikthye në qendër të vëmendjes gjatë prime-t. Një moment mes Zhakut dhe Ilirit, i cili nisi si shaka në oborrin e fermës, u shndërrua në debat të fortë.
Nuk munguan as aludimet për marrëdhëniet brenda fermës. Zhaku dhe Sara hodhën dyshime për një afrim mes Sonit dhe Ilirit, duke ngritur hipoteza për një tërheqje që sipas tyre ekziston mes dy fermerëve. Edhe pse Sara u shpreh se nga ana e Ilirit gjithçka duket më shumë si strategji loje sesa ndjenjë, diskutimi ndezi menjëherë reagime dhe komente në studio.
Mes gjithë tensioneve, spektakli rezervoi edhe momente emocionuese.
Aktori Romir Zalla, një prej konkurrentëve që nga dita e parë e aventurës, u surprizua nga fëmijët e tij. Fillimisht ishte vajza ajo që u shfaq në fermë, duke i dhuruar një takim plot emocione.
Por surprizat nuk përfunduan aty. Kur akrepat shënuan mesnatën dhe nisi dita e datëlindjes së tij, në fermë mbërriti edhe djali i Romirit, duke i dhuruar të tjera emocione fermerit.
Në fund të spektaklit erdhi edhe një tjetër goditje për fermerët. Thyerja e përsëritur e rregullave nga Zhaku, Iliri, Sara, Bujaka dhe Romiri solli pasoja të menjëhershme. Pesë fermerët u dërguan automatikisht në televotim.
Por Romiri arriti t’i shpëtojë rrezikut falë avantazhit të Visit, i cili si i preferuari i publikut pati të drejtën të shpëtonte një prej të nominuarve. Ndërsa Bujaka shpëtoi nga ky televotim pasi ishte imun.
Kështu, pas një prime të mbushur me emocione, debate dhe surpriza, gara për çmimin e madh hyn në një fazë edhe më të nxehtë. Me tre fermerë në televotim dhe një eliminim që do të ndodhë të hënën, gjithçka mbetet e hapur në rrugëtimin drejt finales së madhe.





