Të paktën katër trupa janë gjetur në një varrezë masive të zbuluar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut. Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili vizitoi vendin ku po zhvillohen gërmimet.
Sipas Sveçlës, dyshohet se viktimat janë ekzekutuar gjatë luftës dhe më pas janë hedhur në një gropë gëlqereje, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Ai theksoi se autoritetet do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të zhdukur.
Ministri bëri të ditur se varreza e re ndodhet rreth 900 metra larg një varreze tjetër masive të zbuluar më herët, në të njëjtën luginë, çka sipas tij mund të tregojë se bëhet fjalë për të njëjtin grup viktimash.
“Sapo erdha nga lokacioni ku është zbuluar varreza e re masive. Deri tani janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë gëlqereje. Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë. Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturit e fundit, por po ashtu nuk do të ndalemi derisa secili kriminel të paguajë për krimet që kanë shkaktuar, posaçërisht për këto krime ku gjatë luftës kanë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe pastaj kanë punuar që ky krim të fshihet”, tha Sveçla.
Sveçla u shprehu ngushëllime familjeve të të zhdukurve dhe kërkoi durim deri në përfundimin e procesit të identifikimit nga ekspertët e mjekësisë ligjore, në mënyrë që trupat t’u dorëzohen familjeve dhe të varrosen me dinjitet.
Gjatë deklaratës së tij, ministri në detyrë akuzoi Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për përpjekje të vazhdueshme për fshehjen e tyre. Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të vijojnë punën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për vënien para drejtësisë të përgjegjësve për këto krime.
/vizionplus.tv





