Nëse flasim për skulpturat në Shqipëri vështirë të mos na shkojë ndër mend shtatorja e “Nënë Terezës”, ato të vëllezërve Frashëri apo heronj të tjerë, që duket sikur kanë pushtuar me historitë e tyre edhe sheshet e lulishtet. Kështu ka qenë dikur edhe në vende të tjera të botës, ku historia rrëfehej përmes portreteve apo shtatoreve, kryesisht të realizuara në bronz. Mirëpo sa efekt kanë ato sot kur gjithnjë e më shumë shoqëria orientohet drejt veprave që rrëfejnë apo ushqejnë botën shpirtërore? Osman Zamani dhe Anxhela Hidri janë dy nga studentët më të mirë të Universitetit të Arteve që së bashku me studentë të tjerë na rrëfejnë një koncept të ri të ndarjes së hapësirave. Dhe jo vetëm atë të hapësirave publike, por dhe atyre private. E ndërsa Osmani, propozon këto tre vepra për një thyerje hapësire, për një ambient më të vogël dhe shumë më personal, Anxhela propozon “iriqin” e saj. Ashtu sikurse edhe shumë pedagogë të tyre apo arkitektë në vend, edhe këta studentë mendojnë se Tirana ka nevojë për më shumë frymë, për tema më universale, në vend që të mbytet me vështrimet e egra të heronjve të vigut apo më atë të Partizanit të panjohur. Por, deri më tani fjalët kanë rënë në vesh të shurdhët. Të gjithë duan ta ndryshojnë parkun pranë shtëpisë, por ashtu sikurse gjithnjë veprat e tyre edhe këtë herë do kthehen në vendin ku kanë marrë formë. Askush nuk e kthen kokën nga veprat e tyre… sepse fundja duhen para që edhe këto bocete të bëhen vepra të mëdha.