Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume në emisionin “7pa5” foli lidhur me komisionin bipartizan që do të mbahet këtë të premte, në kuadër të reformës zgjedhore.

Ai theksoi se kjo mbledhje e gjen në të tjera kushte opozitës, për shkak të situatave politike të krijuara në radhët e selisë blu.

“Për mua me ketë situatë politike që kemi sot, asnjëherë s’ka ndodhur në kampin e politikës, kështu siç është ndërtuar ky komision i quajtur bipartizan, pra si i tillë për arsye se opozita dhe mazhoranca kanë numër të njëjtë anëtarësh në këtë komision 9 me 9, komisioni merr vendime me votë të thjeshtë, por paraprakisht duhet të kenë rënë dakord dy bashkëkryetarët”, shpjegoi ai.

Sipas tij, komisioni bipartizan është krijuar për të pasur kontribut të dyja palëve, por në këto kushte kontributi i opozitës është i ‘cunguar’.

“Është ndërtuar si i tillë për të pasur në përbërje kontributin e dy palëve mazhorancë e opozitë. Mazhoranca sot është e gjitha në këtë komision, opozita nuk është e gjitha në këtë komision ose kështu siç është i ndërtuar ky komision pretendon se nuk është e gjitha dhe nuk ka për të dhënë asnjë kontribut”, shtoi ai duke nënvizuar se nëse nuk ndërhyhet opozita nuk do të mund të japë kontribut.

Ish-kreu i KQZ theksoi se ky komision duhet të pësojë ndryshime që garantojë gjithëpërfshirjen.

“Është e mundur me një ndryshim që kërkon shumë energji për t’u realizuar, por kërkon energji. Të mos ketë bashkëkryetar me fuqinë e veto-s. Bllokon, çfarëdolloj propozimi nëse nuk bien dakord dy kryetarët, nuk kalon”, tha ai. “Vendimi në këtë komision të merret më shumicë të cilësuar, me 3/5 ose 13 anëtarë”, shtoi ai.

Ish-kreu i KQZ nënvizoi se komisioni bipartizan shpesh herë ka dështuar në misionin e tij. Për të pasur rezultatet e duhura, sipas tij duhet të krijohet një grup ekspertësh.

“Nëse i kemi ndjekur qëndrimet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve krah punëve që realizon ky komision ose duhet të realizojë ky komision, që shpesh nuk e ka realizuar, kemi iku në zgjedhje pa asnjë lloj ndryshimi ose kemi qenë edhe në situata ku komisioni ka marrë vendime të minutës së fundit, si rezultat i presionit të bërë nga ndërkombëtarët dhe në përgjithësi po qe se do t’i kthehemi diskursit lidhur me produktin që ka sjellë ndryshimin e legjislacionit nëpërmjet rrugës bipartizani, shpesh është goditur si i tillë dhe kjo ka qenë arsyeja pse ndërkombëtarët kanë ndërhyrë. Puna e këtij komisioni dhe e gjithë reformës duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, tha ai. “Grup ekspertësh të pavarur, le të jenë këta që bëjnë ndryshime dhe pastaj çfardo që mund të prodhojë komisioni bipartizan dhe çfardo që mund të prodhojnë ky grup ekspertësh është e gjitha me rezultat”, shtoi ai./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *