Shoqatat e Transportit rikthehen tek paralajmërimet për reduktim të flotës së autobusëve në qarkullim. Këtë herë, operatorët pretendojnë se procesi i rimbursimit me 50 lekë për litër karburant ka ngecur dhe se ata nuk po marrin shumën e kompensimit, ndryshe nga ç’parashikon VKM-ja e miratuar.
“Kërkohet të merren masa të menjëhershme për rimbursimin sipas VKM për muajt mars, prill dhe maj. Është zbardhur VKM-ja në muajin maj, operatorët kanë kryer aplikimet në institucionet përkatëse, por ka një ngërç dhe tani nuk është kaluar rimbursimi tek operatorët”, tha Kostandin Foni nga Shoqata e Transportit Qytetas.
Shqetësim për ta mbetet edhe çmimi i naftës, i cili i është rikthyer rritjes gjatë ditëve të fundit, duke kapërcyer 200 lekë/litër.
“Prej 20 ditësh nafta ka filluar të ketë atë rritjen si në muajin mars, jemi drejtuar te Ministria e Ekonomisë, e Financave që të vazhdojë kjo VKM, pra të ketë një afat tjetër për një periudhë 3-mujore ose aq sa do të zgjasë çmimi i rritur i karburantit”, u shpreh Foni.
Në rast se situata vijon e pandryshuar, operatorët thonë se do të pakësojnë numrin e autobusëve që ofrojnë shërbim për qytetarët.
“Shpresoj që të mos atrrijmë deri këtu, në rast të mos reagimit, të mos përgjigjes, do të detyrohemi me mundësitë financiare që operatorët kanë, të reduktojnë flotën e tyre ashtu siç ncdodhi në muajin kur çmimi i karburantit tejkaloi 220 lekëshin”, deklaroi Kostandin Foni.
Në mesin e prillit, flota e autobusëve u reduktua me 40%, por kjo situatë nuk zgjati shumë sepse qeveria u ul në tryezë me operatorët dhe më pas miratoi skemën mbështetëse për ta.
/vizionplus.tv





