Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, u deklarua i pafajshëm përpara trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

 

Gjatë fjalës së tij, në ditën e tretë të seancës, këtë të martë ai i quajti absurde akuzat për persekutimin e anëtarëve të LDK-së.

JAKUP KRASNIQI

 

ISH ZEDHENES I UÇK

 

“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore.”

 

Krasniqi argumentoi se gjatë kohës që ka qenë zëdhënës i UÇK-së, është përpjekur që përmes deklarimeve të mbajë shpresën te populli, për të vazhduar rezistencën.

 

“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë për të mbajtur shpresë te populli. Prandaj deklaratat e mia duhet të shihen si pjesë e propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare”.

 

Ndërsa avokatja mbrojtëse e Krasniqit tha se pretendimet e prokurorisë, se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, nuk qëndrojnë. Nëse akuza është e vërtetë – tha avokatja – atëherë NATO paska mbështetur një organizatë kriminale, me bombardimet që çuan në fundin e luftës në Kosovë.

 

Me fjalën e Krasniqit dhe mbrojtjes së tij, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Seanca e radhës do të mbahet të martën e javës së ardhshme, në 11 Prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *