“Përballjen e shekullit” e konsideron Sali Berisha ballafaqimin mes tij dhe kryeministrit Edi Rama në Gjykatën e Posaçme, pasi togat e zeza miratuan thirrjen e tij si ish-kryetar i bashkisë së Tiranës. Kjo deklaratë u bë nga kreu demokrat pasi shleu detyrimin e tij për t’u paraqitur në SPAK.
“Përballja e shekullit, aty do t’u tregoj shqiptarëve të gjithë korrupsionin e Ramës dhe çfarë qenie të ligë përfaqëson. Ndaj e ftoj: bëhu burrë dhe eja në gjykatë ose, nëse s’ta mban, zgjidh një studio televizive. Do vijë si delinkuent në sallën e gjyqit”, tha Berisha.
Nëse më 30 prill do të jetë pjesë e seancës, kur do të merret edhe dëshmia e Taulant Ballës, që ishte iniciatori i çështjes “Partizani” pas kallëzimit që i bëri në SPAK, Berisha shprehet:
“Taulant Balla është autori i shpifjes, i trillimit, sipas të cilit Sali Berisha i ka dhënë tokë të shpronësuar nga autoritetet pushtuese italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhëndrit të tij. Rama dhe vartësit e tij kanë 40 firma me të cilat kanë ndryshuar destinacionin e terrenit nga klub sportiv në zonë urbane. Rama ndryshimin e destinacionit të një pjese të terrenit e ka nisur në 2004-ën dhe e ka përfunduar në 2006 pa asnjë kërkesë nga pronarët. Nëse gjykata e kërkon, do të jem përballë tyre”
Deri në këtë moment, në Gjykatën e Posaçme fjalën e ka pasur mbrojtja. Avokatët kanë argumentuar se Berisha nuk mund të vihet nën akuzë për një vendim që është kolegjial, pra një vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund të bëjë me faj një kryeministër, pasi është i përbashkët, po ashtu edhe aktet nuk janë individuale. Kështu, SPAK sipas mbrojtjes është në tejkalim kompetencash, sepse nuk mund të vlerësojë bazën ligjore për VKM-të apo politikat që ndjek një qeveri. Këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.
Të bashkëpandehur në proces janë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, që sipas SPAK është përfituesi nga privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”, Fatmir Bektashi, që ndërtoi 17 pallate mbi këto troje, noterja Andia Pustina dhe shoqëritë Homplan dhe Kontakt.
/vizionplus.tv





