Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Il Giornale”, ku ka folur për marrëdhëniet me Italinë, reformat në vend dhe zhvillimet politike e ekonomike në Shqipëri.
Duke iu referuar takimit me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Rama vlerësoi vizionin e saj strategjik për marrëdhëniet dypalëshe dhe theksoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
Në intervistë, ai u ndal edhe te marrëveshja për migrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, duke deklaruar se modeli nuk është i transferueshëm në vende të tjera evropiane, por mbetet një marrëveshje ekskluzive vetëm për Romën.
Intervista e Edi Ramës për “Il Giornale”
Para se të takonit Giorgia Melonin të enjten në Romë, e quajtët “motër” në Instagram. Si shkoi takimi?
“Shumë mirë, si gjithmonë. Edhe një herë mora konfirmimin se kryeministrja juaj ka një vizion të qartë strategjik për marrëdhëniet mes vendeve tona, të cilave u kushton vëmendje të veçantë, pavarësisht angazhimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit.”
Ju keni diskutuar zbatimin e marrëveshjeve Itali–Shqipëri për emigrantët. Tani që qendrat janë shpallur të ligjshme nga Evropa, a po kërkojnë edhe vende të tjera këtë model?
“Pas vendimit për ligjshmërinë, kanë ardhur kërkesa edhe nga vende të tjera evropiane. Por dua të jem i qartë, kjo është një marrëveshje ekskluzive për Italinë. Marrëveshja me Romën nuk mund të kopjohet.”
Ju keni qenë kryetar bashkie i Tiranës (2001–2011) dhe drejtoni vendin që nga viti 2013. Si ishte Shqipëria atëherë dhe si është sot?
“Kur fillova këtë detyrë, PBB-ja e Shqipërisë ishte më pak se 10 miliardë euro. Sot është 27 miliardë euro. Kishim 2 milionë turistë, përfshirë edhe shqiptarët që ktheheshin nga udhëtimet… sot kemi 8 milionë turistë realë.”
Çfarë progresi keni bërë në administratë dhe shërbime publike?
“Prej vitesh nuk ka më radhë për certifikata apo licenca në zyrat publike. Gjithçka bëhet përmes telefonit ose kompjuterit. Ende nuk i kemi dixhitalizuar martesat, gjurmët e gishtërinjve ose regjistrin e tokës, i cili duhet të riorganizohet sepse, pas përfundimit të diktaturës komuniste, të drejtat e pronës u shpërndanë në mënyrë kaotike dhe më pas pati leje ndërtimi të paligjshme. Përveç regjistrit të tokës, do të kemi dixhitalizuar gjithçka deri në vitin 2028.”
Ministri virtual “Diella”, i krijuar nga ineligjenca artificiale, ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare. A ka përmirësuar efikasitetin?
“Ka ndihmuar shumë, sepse është asistenti dixhital i të gjithë shqiptarëve. Po përgatisim një version të thjeshtuar, nuk do të ketë më nevojë për të shkruar kërkesa, mjafton të flasësh me FaceTime dhe asistenti jep shërbimin.”
Diella do të menaxhojë edhe prokurimet publike?
“Po, jemi shumë afër që prokurimet publike të menaxhohen nga inteligjenca artificiale, pa ndërhyrje njerëzore, pra më transparente.”
Si janë forcuar marrëdhëniet me Italinë nën drejtimin e Giorgia Melonit?
“Të gjitha qeveritë italiane kanë qenë respektuese dhe të hapura. Por me këtë qeveri kemi kaluar nga idetë në projekte konkrete në infrastrukturë, energji, mbrojtje dhe shëndetësi.”
Shqipëria shpesh lidhet me krimin dhe pastrimin e parave. Si i përgjigjeni?
“Shqipëria është një vend i sigurt. Kush vjen këtu e ndryshon mendimin. Po luftojmë seriozisht korrupsionin dhe pastrimin e parave.”
Si e shihni situatën gjeopolitike dhe rolin e SHBA-së dhe Evropës?
“Jetojmë një moment delikat për demokracitë perëndimore. Burimet e Evropës dhe Amerikës janë ende të forta. Trump është një mundësi që Evropa të zgjohet. Ai nuk është vetëm shpëtim për Amerikën, por edhe një sinjal për Evropën që nuk mund të jetojë me të kaluarën.”
Si po ndryshon gjuha politike në Perëndim?
“Problemi është komunikimi publik i politikës, që reflekton një krizë më të thellë në shoqëri. Rrjetet sociale kanë shembur kufijtë e mirësjelljes dhe kanë krijuar një mjedis toksik. Është shqetësuese si do të jetë brezi i ardhshëm i liderëve.”
A duhet të ndalohen rrjetet sociale për të miturit?
“Nuk mund t’i ndalosh pa identifikim dhe përgjegjësi individuale. Si e di kush fshihet pas një profili?”
Pse e riaktivizuat TikTok-un pas mbylljes?
“Prisnim reagim të ashpër, por drejtuesit erdhën për dialog dhe bashkëpunim. Shqipëria është i vetmi vend që i trajton këto çështje drejtpërdrejt me ta.”
A gjeni kohë për pikturë?
“Gjithmonë pikturoj. Është një aktivitet i ndarë nga të folurit dhe komunikimi. Edhe kur jam në tryezë pune, unë pikturoj.”/vizionplus.tv





