Meta përballet të martën me një nga sfidat më të mëdha ligjore në historinë e saj, pasi nis një gjyq i ngritur nga 30 shtete amerikane, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun. Shtetet akuzojnë kompaninë se platformat Instagram dhe Facebook kanë synuar dhe dëmtuar përdoruesit e mitur, duke shkelur ligjet federale dhe shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve.
Paditësit kërkojnë nga Meta më shumë se 1 trilion dollarë dëmshpërblim, si dhe ndryshime të thella në mënyrën se si funksionojnë platformat. Mes kërkesave janë verifikimi i prindërve për përdoruesit adoleshentë, kufizimi i algoritmeve që synojnë të mbajnë të rinjtë sa më gjatë online, heqja e numrit të “like”-ve, ndalimi i lëvizjes së pafundme në platformë dhe kufizimi i njoftimeve.
Shtetet pretendojnë se Meta ka përdorur funksione të dizajnuara për të krijuar varësi dhe për t’i rikthyer vazhdimisht fëmijët në aplikacione. Ata i referohen edhe kërkimeve të brendshme të kompanisë, sipas të cilave numri i pëlqimeve mund të nxisë krahasimin social, duke u lidhur me vetmi më të madhe, probleme me imazhin e trupit dhe gjendje negative emocionale te të rinjtë.
Meta i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Kompania deklaron se nuk pajtohet me pretendimet dhe se provat do të tregojnë përkushtimin e saj të gjatë ndaj mbështetjes dhe sigurisë së përdoruesve të rinj. Megjithatë, presioni ligjor është shtuar pasi një gjykatë në New Mexico e gjobiti së fundmi kompaninë me 942 milionë dollarë dhe urdhëroi ndryshime në platformat e saj, duke e cilësuar Meta-n si një “shqetësim publik”.
Nëse 30 shtetet fitojnë çështjen, vendimi mund të detyrojë Meta-n të ndryshojë në mënyrë thelbësore Instagramin dhe Facebook-un në të gjithë SHBA-në. Shtetet që kanë ngritur padinë përfaqësojnë afro dy të tretat e popullsisë amerikane, ndaj një humbje për kompaninë mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si miliona të rinj përdorin rrjetet sociale.
/vizionplus.tv





