Një histori prekëse dashurie vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku 77-vjeçari Michael O’Reilly, i prekur nga Alzheimeri, i propozoi sërish bashkëshortes së tij, 78-vjeçares Linda Feldman, duke harruar se kishin qenë të martuar prej 39 vitesh. Çifti zhvilloi një ceremoni të dytë martese më 10 të muajit, në një qendër kujdesi ku O’Reilly jeton prej më shumë se dy vitesh.
Historia e tyre nisi në vitin 1979, kur Feldman, asokohe avokate publike, e pa O’Reillyn duke zhvilluar një gjyq. Fillimisht ata ishin kolegë dhe marrëdhënia e tyre ishte profesionale, ndërsa të dy ishin të martuar me persona të tjerë. Me kalimin e viteve, pas divorcit të të dyve, miqësia u shndërrua në dashuri. Në vitin 1987 ata u martuan në një ceremoni të thjeshtë në dhomën e ndenjes së shtëpisë.
Çifti ndërtoi së bashku një jetë të pasur me kujtime dhe udhëtime. Ata bashkuan familjet e tyre dhe vizituan vende të shumta në botë, nga Kina, Polonia dhe Spanja, deri në Francë, Itali, Izrael, Turqi, Meksikë dhe Argjentinë.

Gjithçka ndryshoi rreth shtatë vite më parë, kur O’Reilly u diagnostikua me Alzheimer. Njeriu që dikur mund të mbante fjalime katërorëshe pa shënime filloi gradualisht të harronte emrin dhe identitetin e gruas së tij. Gjendja e tij u përkeqësua deri në atë pikë sa humbiste rrugën edhe pranë shtëpisë dhe e kishte të vështirë të komunikonte. Megjithatë, Feldman thotë se sa herë që e viziton, ai buzëqesh, e përqafon, i mban dorën, e puth dhe i thotë: “Të dua.”

Në nëntor të vitit të kaluar, O’Reilly e përqafoi bashkëshorten dhe i bëri sërish të njëjtën pyetje që i kishte bërë rreth 40 vite më parë: të martohej me të. Feldman pranoi, pa i kujtuar se ata kishin qenë bashkëshortë prej dekadash, nga frika se kjo mund ta ngatërronte. Për ceremoninë e dytë u bashkuan 25 persona, mes tyre familjarë, miq dhe punonjës të qendrës së kujdesit. Salla u zbukurua me lule, tullumbace, fotografi dhe video nga martesa e tyre, ndërsa një tortë dykatëshe plotësoi festën.

Edhe pse ceremonia zgjati vetëm një ditë, për Feldman ajo do të mbetet një kujtim që do ta mbajë gjatë gjithë jetës. Ajo tha se O’Reilly dukej se e kuptonte se gjithçka që po ndodhte ishte për të dy dhe se ishte i lumtur. “Ai thjesht e di se më do”, u shpreh ajo për lidhjen e tyre. “Kjo është një histori shprese. Dashuria është ajo që mbijeton edhe përballë pengesave më të vështira.”
/vizionplus.tv






