Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar në rrjetet sociale pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së opozitës para godinës së Kryeministrisë.
Në deklaratën e saj, Koçiu dënoi çdo inkurajim të akteve të dhunës nga drejtues të opozitës dhe u bëri thirrje organizatorëve të protestës që të apelojnë për shmangien e dhunës, si dhe të mbajnë të miturit larg situatave që mund të rrezikojnë jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që, në vend të alternativës, krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve,” shprehet ministrja.
Ajo shton se të rinjtë dhe të miturit që përfshihen në akte dhune nuk janë “heronj apo trima”, por, sipas saj, të keqpërdorur nga persona që vijojnë të mbështeten te dhuna në mungesë të një alternative tjetër politike.
Deklarata e plotë
Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës.
U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve.
Dhuna nuk është zgjidhje!
Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve.
Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit.





