Për të gjithë ata individë apo familje të pastreha që duan të blejnë një shtëpi, Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen për aplikime për kredi të buta. Por pjesëmarrja në programin mbështetës kushtëzohet me disa kritere.
“Janë rreth 1500 kuota dhe brenda këtyre kuotave ftohen që të aplikojnë një numër i konsiderueshëm individësh apo dhe familjesh. Në fakt janë disa kritere të rëndësishme përpara se të fillohet aplikimi, i cili është me faza. Kriteri i parë ka të bëjë me moshën, mbi moshën 18 vjeç, përparësi kanë çiftet e reja që kanë një moshë deri në 40 vjeç. Kanë familjet me më shumë se 4 fëmijë apo familjet me një prind apo dhe nënat e divorcuara dhe që kanë fëmijë në ngarkim, komuniteti rom dhe egjiptian. Nëse aplikanti ka në pronësi një banesë tjetër, është një kusht për të mos vazhduar më tej aplikimin për të përfituar nga kreditë e buta”, Vasilika Vjero, Nënkryetare, Bashkia Tiranë
Afati për fazën e parë të aplikimeve ka nisur më 20 prill dhe përfundon më 19 maj, ndërsa kërkesat duhet të plotësohen online përmes portalit “e-Albania”. Pas përfundimit të kësaj faze, aplikantët do të kalojnë në fazën e dytë, ku kërkohet dorëzimi i dokumentacionit përkatës, për të cilin do të bëhet edhe vlerësimi nga komisioni përgjegjës.
“Të gjithë aplikantët do duhet të jenë të kujdesshëm për aplikimin, i cili do kryhet pranë portalit qeveritar e-Albania dhe më specifikisht do duhet të zgjedhin kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social. Me mbylljen e fazës së parë do ketë një komision i cili do të vlerësojë ata aplikantë të cilët do kalojnë në fazën e dytë. Do t’u lihet një mundësi aplikantëve që do marrin një përgjigje refuzuese për të riparë nëse mund të rikthehen duke e plotësuar dokumentacionin. Nuk do të penalizohen dhe më pas do të hyjnë në fazën e dytë, ku kërkohen një sërë dokumentash dhe bëhet një vlerësim nga një komision i posaçëm i cili vlerëson kushtet ekonomiko-sociale të aplikantëve.”
Të gjithë individët, çiftet e reja apo familjet që përfitojnë nga ky program, në varësi të tipologjisë së apartamentit, do të marrin një shumë financimi që varion nga 5.8 milion lekë për një garsoniere deri në 13 milion për një apartament 3+1.
Përfituesit duhet gjithashtu të plotësojnë një kriter të rëndësishëm që lidhet me punësimin dhe pagën. Niveli minimal i të ardhurave duhet të jetë 44 mijë lekë në muaj, ndërsa maksimali varion nga 83 mijë lekë për një garsoniere deri në 165 mijë lekë për një apartament 3+1.
Sipas skemës së financimit, përfituesit do të paguajnë deri në normën 3% të interesit së bashku me principalin, ndërsa çdo interes mbi këtë normë do të mbulohet nga Bashkia e Tiranës.
/vizionplus.tv





