5 shtatori shënon ditën kushtuar Shën Terezës së Kalkutës, një prej figurave më të njohura të shekullit të 20-të për veprën e saj në shërbim të të varfërve dhe njerëzve në nevojë. Me origjinë shqiptare, Nënë Tereza e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në Indi, ku ndërtoi një mision që do të shtrihej më pas në të gjithë botën. Për shqiptarët, kjo datë mbart një rëndësi të veçantë, ndërsa për botën, emri i Nënë Terezës është kthyer në simbol të dashurisë, mëshirës dhe shërbimit ndaj tjetrit.
Edhe pse ceremonia e kanonizimit të saj u zhvillua më 4 shtator 2016 në Vatikan, një ditë më vonë, më 5 shtator, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të Shën Terezës së Kalkutës. Data përkon edhe me ditën e vdekjes së saj, më 5 shtator 1997.
Në Shqipëri, 5 shtatori është shpallur për here të parë ditë pushimi zyrtar në nderim të Shën Terezës në tetor të vitit 2017, me ndryshimin e ligjit për festat zyrtare, i cili hyri në fuqi në vitin 2018. Data zëvendësoi 19 tetorin, që deri atëherë shënonte Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës. Ndryshimi erdhi pas shpalljes së saj shenjtore nga Vatikani në vitin 2016, duke e vendosur 5 shtatorin në kalendarin zyrtar të festave të Shqipërisë.
Jeta – nga Gonxhe Bojaxhiu te Nënë Tereza
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare. Fëmijëria dhe vitet e para të jetës së saj u shoqëruan me edukimin fetar dhe me një ndjeshmëri të fortë ndaj njerëzve në nevojë.
Që në moshë të re, ajo vendosi t’i kushtonte jetën besimit dhe shërbimit. Në moshën 18-vjeçare u largua nga familja dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Pak kohë më vonë u nis drejt Indisë, vendi ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.
Në Indi, fillimisht punoi si mësuese. Për disa vite, jeta e saj u zhvillua brenda misionit fetar dhe në mjedisin e shkollës. Por kontakti i përditshëm me varfërinë e madhe të Kalkutës ndikoi në mënyrë të thellë tek ajo.
Me kalimin e kohës, Nënë Tereza vendosi të largohej nga jeta relativisht e mbrojtur e institucionit ku punonte dhe t’u afrohej drejtpërdrejt njerëzve më të varfër.
Ky ishte një kthesë vendimtare në jetën e saj.
Ajo nisi të punonte në lagjet e varfra të Kalkutës, duke ndihmuar njerëzit që jetonin në kushte ekstreme dhe që shpesh nuk kishin as kujdes shëndetësor, as strehim dhe as mbështetje familjare. Në vitin 1950, themeloi Misionaret e Bamirësisë, kongregata që do të bëhej baza e veprës së saj. Nga një grup i vogël, misioni u zgjerua gradualisht në institucione dhe qendra ndihme në vende të ndryshme të botës.
Nënë Tereza u bë gjithnjë e më e njohur për mënyrën e drejtpërdrejtë me të cilën u shërbente njerëzve. Ajo nuk kufizohej vetëm te ndihma materiale. Për të, një pjesë e rëndësishme e misionit ishte që njerëzit e braktisur të ndiheshin përsëri të respektuar dhe të vlerësuar.
Kontributi – një mision për më të varfrit
Kontributi i Nënë Terezës u përqendrua kryesisht te njerëzit që ndodheshin në skajet e shoqërisë. Misionaret e Bamirësisë hapën qendra për të sëmurët, jetimët, të pastrehët dhe njerëzit që nuk kishin mundësi të merrnin kujdesin e nevojshëm.
Në qendër të kësaj pune ishte një parim i thjeshtë: asnjë njeri nuk duhet të braktiset vetëm sepse është i varfër, i sëmurë apo i harruar nga shoqëria. Puna e saj nuk mbeti vetëm në Kalkutë. Me zgjerimin e Misionareve të Bamirësisë, aktiviteti i kongregatës u shtri në shumë vende. Vullnetarë dhe murgesha iu bashkuan misionit, duke krijuar një rrjet ndërkombëtar shërbimi.
Nënë Tereza e shihte ndihmën ndaj të varfërve jo vetëm si një detyrim shoqëror, por si pjesë të besimit të saj fetar. Pikërisht ky kombinim mes besimit dhe veprimit e bëri figurën e saj të njohur edhe përtej komunitetit katolik.
Në vitin 1979, puna e saj u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen. Çmimi e ktheu Nënë Terezën në një figurë edhe më të njohur ndërkombëtarisht dhe i dha një platformë globale për të folur për varfërinë, humanizmin dhe nevojën për solidaritet. Megjithatë, ajo vazhdoi të këmbëngulte se vëmendja nuk duhej të përqendrohej tek ajo si individ, por tek njerëzit për të cilët ajo punonte.
Kontributi i Nënë Terezës mund të shihet edhe në mënyrën se si ajo e trajtoi konceptin e dinjitetit njerëzor. Përballë një personi të varfër, të sëmurë apo të braktisur, ajo nuk shihte vetëm nevojën materiale. Ajo shihte një individ që kishte nevojë për kujdes, respekt dhe praninë e një personi tjetër. Ky mesazh e bëri veprën e saj të kuptueshme edhe për njerëzit që nuk ndanin të njëjtin besim fetar.
5 shtatori – vdekja, shenjtërimi dhe trashëgimia
Më 5 shtator 1997, Nënë Tereza ndërroi jetë në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare.
Vdekja e saj shënoi fundin e jetës së një gruaje, por jo të misionit që ajo kishte krijuar. Misionaret e Bamirësisë vazhduan punën në vende të ndryshme të botës, ndërsa figura e Nënë Terezës u bë gjithnjë e më e pranishme në kujtesën ndërkombëtare.
Vetëm disa vite pas vdekjes së saj nisi procesi formal që do ta çonte drejt shenjtërimit.
Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të lume. Më pas, pas shqyrtimit të procesit të kanonizimit, Papa Françesku e shpalli shenjtore më 4 shtator 2016, gjatë një ceremonie në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ceremonia mblodhi mijëra besimtarë dhe pelegrinë nga vende të ndryshme të botës.Një ditë më pas, më 5 shtator, u kremtua festa liturgjike e Shën Terezës së Kalkutës. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj date.
5 shtatori lidhet njëkohësisht me ditën kur Nënë Tereza u nda nga jeta dhe me ditën kur Kisha e përkujton atë si shenjtore.
Për shqiptarët, kjo ditë ka një dimension të veçantë. Nga Shkupi, ku lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, deri në Kalkutë, ku zhvilloi misionin e saj, jeta e saj u shtri përtej kufijve të një vendi të vetëm. Ajo mbeti shqiptare në origjinë, katolike në besim dhe indiane në vendin ku zhvilloi pjesën më të madhe të veprës së saj. Por mbi të gjitha, ajo u shndërrua në një figurë me karakter universal.
Sot, 5 shtatori rikthen në vëmendje një nga pyetjet më të rëndësishme të trashëgimisë së Nënë Terezës: si sillet shoqëria me njerëzit që kanë më pak? Në një botë ku varfëria, vetmia dhe përjashtimi social vazhdojnë të jenë probleme të mëdha, mesazhi i saj mbetet aktual. Nënë Tereza u bë e njohur jo sepse kërkoi të ishte në qendër të vëmendjes, por sepse zgjodhi të vendoste në qendër të veprës së saj njerëzit që shpesh nuk kishin zë. Nga një vajzë shqiptare e lindur në Shkup, ajo u kthye në një prej figurave më të njohura të shekullit XX.
5 shtatori, dita e Shën Terezës së Kalkutës, mbetet kështu një ditë kujtese për jetën e saj, për kontributin ndaj të varfërve dhe për një mesazh që vazhdon të përcillet nga brezi në brez.
/vizionplus.tv





