Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ishte në Levan të Fierit, ku pa nga afër situatën e krijuar nga zjarret gjatë orëve të pasdites. Sipas tij, situata është tashmë shumë më e qetë.
“Situata në Levan është shumë më e qetë se ç’ishte gjatë orëve të pasdites. Janë dy vatra që po monitorohen dhe do të aksesohen përsëri nesër në mëngjes, si nga toka, por me shumë mundësi edhe nga ajri”, deklaroi Ministri Nufi.
Ministri e cilësoi ditën e sotme si një ndër ditët më të vështira të sezonit të zjarreve, teksa evidentoi angazhimin e forcave në disa zona të vendit, përfshirë Lezhën, Dibrën, Matin, Qinamin, dhe Levanin në Fier.
“Sot ka qenë një ndër ditët më të vështira të situatës së zjarreve gjatë gjithë sezonit veror. Ka patur një angazhim të jashtëzakonshëm, duke filluar nga Lezha, nga Dibra, nga Mati, nga Qinami në Tiranë, nga Levani këtu në Fier, ku ka patur një shtrirje prej 4 kilometrash”, u shpreh ministri Nufi.
Sipas tij, në operacionin për shuarjen e zjarrit në Levan janë angazhuar mbi 100 forca në terren, dy helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se pas Levanit do të vijojë drejt Himarës për të parë nga afër situatën dhe nevojat e strukturave në terren.
Ministri Nufi theksoi se prioritet mbetet ndërhyrja në kohë për çdo vatër zjarri, ndërsa konfirmoi se deri tani nuk ka pasur humbje jete.
“Po bëjmë çmos që çdo situatë të adresohet në kohën e duhur. Deri tani fatmirësisht nuk kemi asnjë jetë të humbur, përveç disa banesave të përshkuara nga zjarret, por falë ndërhyrjes në kohë dhe falë përpjekjeve të të gjithë njerëzve situata është nën kontroll”, deklaroi Ministri Nufi.





