Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon që gara brenda kampit blu të konsiderohet një mundësi pozitive, ndërsa bëri thirrje që mos t’i japin kënaqësi kundërshtarit që ky proces të kthehet në një vegël për të përdorur kundër PD-së.
Nga Saranda, Basha akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se ka 12 vjet që nuk bën zgjedhje në parti.
“Tani siç e dimë ne e di edhe kundërshtari, padiskutim, buza e të cilit nuk qesh dhe manovrat e të cilit kanë vetëm një synim të përçajnë forcën e rritur të Partisë Demokratike, të mbjelli dyshi dhe mosbesim në radhët tona dhe të na bëjë të merremi me veten në vend që të vazhdojmë betejën së bashku. Pra, kundërshtari ynë e ka të qartë se çfarë do të arrijë. Do që ne të mos vazhdojmë së bashku, do të mos vazhdojmë betjen e nisur. Ndaj, kërkesa ime e parë është ta konsiderojmë këtë proces të brendshëm si një mundësi pozitive, jo vetëm për të komunikuar me njëri-tjetrin, por dhe të na sjellë më afër njëri-tjetrit që të dalim më të bashkuar nga ky proces. Mos t’i japim kënaqësinë kundërshtarit që ky proces i diktuar nga rregullat e brendshme të kthehet në një vegël për ta përdoruar kundër nesh. Përkundrazi të shpalosim vlerat tona më të mira. Se pavarësisht asaj që thuhet ne jemi partia që bën garë, ne jemi partia që bën debat. Ai ka 12 vjet që s’bën zgjedhje në parti. Kjo është një tjetër vlerë të cilën duhet ta mbajmë e ta çojmë deri në fund ku me 13 qershor pjesëmarrja masive në këtë proces i cili duhet të zbatohet sipas të gjitha rregullave statutore do të konfirmojë edhe njëherë vlerat tona dhe duhet ta shohim si një tjetër stacion në betejën që vazhdon deri në largimin e regjimit. Pas 25 prilli, 13 qershori është një moment i rëndësishëm për të treguar që ne që iu dolëm për zot shqiptarëve në momentin më të errët prej kohësh të përballjes së opozitës pa asnjë pushtet me shtetin me të gjitha pushtetet, ne nuk jemi rrëzuar dhe zemëratën tonë jemi gati ta kthejmë në një energji, në një fuqi goditëse për regjimin. Në këtë rrugëtim debati i brendshëm ka vlerë, ka vlerë dhe duhet mirëpritur.”





