Irani nuk po shqyrton aktualisht vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Deklarata është bërë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, në një kohë kur negociatat mes Iranit dhe Omanit për rikthimin e lundrimit në këtë rrugë detare strategjike ende nuk kanë përfunduar.
Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, Baghaei deklaroi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit varet tashmë nga heqja e bllokadës detare amerikane.
“Për sa kohë vazhdojnë veprimet armiqësore, nuk plotësohen kushtet e nevojshme për garantimin e sigurisë së kësaj rruge detare”, tha ai, duke shtuar se Teherani kërkon përfundimin e masave amerikane, heqjen e bllokadës dhe dëmshpërblime.
Sipas zëdhënësit të diplomacisë iraniane, negociatat me Omanin janë përqendruar në përcaktimin e një korridori të sigurt për lundrimin.
Baghaei përsëriti qëndrimin e Teheranit se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ishte pasojë e “agresionit amerikan dhe izraelit” dhe përdorimit të bazave rajonale kundër Iranit.
Baghaei tha se negociatat mes Iranit dhe Omanit për trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit po zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe se është arritur marrëveshje mbi një plan për lëvizjen e anijeve.
Sipas tij, palët po diskutojnë ende disa detaje teknike për ta finalizuar marrëveshjen.
Në kuadër të këtij mekanizmi pritet të krijohen struktura për monitorimin e kalimit të sigurt të anijeve, mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër krimit në det.
Baghaei sqaroi se do të arkëtohen kostot dhe tarifat për shërbimet detare të ofruara për anijet. Megjithatë, ai bëri dallimin mes këtyre tarifave për shërbime konkrete dhe vendosjes së një tarife të përgjithshme për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila, sipas tij, nuk është aktualisht në shqyrtim.





