Momente të vështira për një prej lojtarëve më të mirë të historisë. Lionel Messi përcolli për në banesën e fundit babain e tij, Jorge Messi, i cili u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, në moshën 68-vjeçare. Messi udhëtoi nga Florida, ku jeton bashkë me familjen për shkak se është pjesë e Inter Miamit, për të shkuar në Rosario, në vendlindje. Ceremonia ishte tejet private dhe ylli i futbollit argjentinas shoqërohej nga familjarët e tij dhe miq të ngushtë.
Fotoreporterët dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve siguruan pak pamje nga larg të një Lionel Messit të dëshpëruar në ceremoninë e përcjelljes së babait të tij për në banesën e fundit.
Messi kishte një lidhje shumë të fortë me të atin, i cili i kishte qëndruar shumë pranë gjatë gjithë karrierës. Madje ishte Jorge Messi që këmbënguli të dërgonte në Barcelonë, në moshë të vogël, djalin e tij Lionel, atje ku “Pleshti” fitoi provën që në ditën e parë dhe më pas u desh të negocionte edhe trajtimin mjekësor të djalit të tij, për shkak se Lionel ishte shumë i shkurtër për moshën që kishte.
Më vonë, në kohën kur nisi të luante si profesionist po te katalanasit, Messi zgjodhi të mos mbante menaxher, por me gjithçka sa i takonte të drejtave merrej pikërisht babai i tij, Jorge Messi. Ai nuk humbiste asnjë ndeshje të djalit të tij, por prej nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, kjo gjë nuk ndodhi më.
/vizionplus.tv





