Subscribe

Qeveria shqiptare do të nisë së shpejti programin prej 23 milionë euro për ujitjen dhe kullimin. Ministri Bujqësisë Niko Peleshi tha se po merren masa në mënyrë që të mos ndodhin më situata të vështira për shkak të përmbytjeve.

 

“Kemi analizuar të gjitha pikat e nxehta, që rezultuan edhe pas dy përmbytjeve qe kemi pasur në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të vitit aktual. Jo vetëm kemi identifikuar pikat e nxehta, por kemi bërë dhe një parafizibilitet, pra kemi bërë një përllogaritje të vlerës së investimit”.

 

Deklaratën ministri i Bujqësisë i bëri gjatë inspektimit të stacionit të pompimit të fshatit Sulzotaj, i cili është pjesë e skemës të sapo rehabilituar të Divjakës. Sipas Peleshit në pak kohë do të nisë zbatimi i dy projekteve të mëdha, për ujitjen.

 

“Njëra prej tyre furnizon zonën e Libofshës me ujë, dhe vendos nën ujë 1300 ha, ndërsa dega tjetër furnizon një zonë prej 300 mijë ha në Divjakë, ndërkohë me projektin shtesë të Bankës Botërore, që për pak kohë, brenda majit shpresoj do të ratifikohet në Parlament, një program prej 23 milionë euro, një pjesë e mirë e të cilit, përfitohet nga kjo zonë, nga qarku i Fierit dhe një pjesë në zonën e Konispolit”.

 

Duke konsideruar qarkun e Fierit si zonën më intensive bujqësore, Peleshi u shpreh se ia vlen të këtë përqendrim fondesh, në projekte të ujitjes dhe kullimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *