Një çift spanjoll, i cili u bë viral për shëtitjet e tyre me motiçikletë përreth botës, kanë zbuluar se kanë pësuar një sulm të tmerrshëm ndërsa udhëtonin nëpër Indi.

Vincente dhe Fernanda, të njohur për audiencën e tyre si Vuelta Al Mundo En Moto (Rreth botës me motoçikletë), ndanë video nga një spital në Indi duke shpjeguar se ata ishin sulmuar, grabitur dhe se Fernanda ishte viktimë e një përdhunimi në grup.

Vincente dhe Fernanda kanë udhëtuar në më shumë se 60 vende që kur filluan udhëtimin e tyre nga Barcelona 5 vjet më parë, duke përshkuar mbi 170,000 kilometra me motoçikletat e tyre. Çifti ka 158,000 ndjekës në Instagram që dokumentojnë udhëtimet, ushqimet dhe përvojat e tyre teksa kalojnë kontinente.

Por udhëtimet e tyre në Azinë Jugore morën një kthesë shqetësuese dje pasi çifti ngarkoi dy histori në Instagram, duke zbuluar se ata ishin sulmuar ndërsa udhëtonin në Indi.

Në videon e parë, të postuar më 1 mars, shfaqen Fernanda dhe Vincente të tronditur dhe të mavijosur në fytyrë. Në deklaratat për mediat spanjolle, ata zbuluan se ishin sulmuar pasi vizituan lagjen Dumka të shtetit indian të Jharkhand, i cili është një destinacion popullor turistik.

Çifti po shkonte drejt Nepalit nëpërmjet Bhagalpur, por kishte ndaluar në Dumka për të pushuar dhe ngritur çadrën e tyre pranë tregut Hansdiha. Pasi i ka zënë gjumi, në vendngjarje kanë hyrë 7 të rinj dhe i kanë sulmuar të dy.

“Na rrahën. Më vunë një thikë në fyt dhe më thanë se do të më vrisnin”, thotë Vincente në një nga videot, ku duket se ka qepje në buzën e poshtme.

Ndërsa Vincente ka disa mavijosje në kokë, pjesa anësore e fytyrës së Fernanda duket se ka marrë goditje shumë më të rënda.

“Ne jemi në spital, këtu në Indi. Jemi me policinë. Na lanë të flemë këtu”, thotë Fernanda me sytë e skuqur nga lotët.

“Na ka ndodhur diçka që nuk do t’ia urojmë askujt. Shtatë burra më përdhunuan. Na rrahën dhe na grabitën, edhe pse jo shumë, sepse ajo që donin ishte të më përdhunonin. Jemi në spital me policinë. Ndodhi sonte këtu në Indi”, tha gruaja në video.

Sipas EuroNews, ambasada spanjolle në Indi kontaktoi autoritetet lokale dhe dërgoi personel për të ndihmuar çiftin. Tre nga shtatë të dyshuarit janë arrestuar dhe janë në paraburgim. Videoja është postuar në Twitter nga gazetarja Anna Slatz, e cila ia ka përshkruar situatën ndjekësve të saj. Që nga ngarkimi i videos, ajo ka tërhequr mbi 500,000 shikime dhe qindra komente.

Ndërsa shumë shprehën simpatinë e tyre për çiftin, disa përdorues filluan të ndajnë përvojat e tyre të udhëtimeve të tyre në Indi, me shumicën dërrmuese negative.

“Niveli i agresionit seksual që kam përjetuar duke jetuar në Indi për disa vite ishte i pakrahasueshëm kudo tjetër që kam qenë,” shkroi David Josef Volodzko.

Një grua e quajtur Sasha shkroi: “Kam kaluar 6 javë në Indi pothuajse 15 vjet më parë. Isha 21 vjeç dhe udhëtoja vetëm dhe sinqerisht ishte vendi më i keq që kam qenë ndonjëherë në tokë. Kafshët e egra do të kishin më shumë vetëpërmbajtje sesa burrat indianë. Jam ngacmuar seksualisht gjithë ditën, çdo ditë. Nuk do të kthehesha më kurrë”.

Të tjerë vunë në dukje se kjo nuk ishte historia e parë e përdhunimit në Indi në vitet e fundit, me 90 sulme seksuale të raportuara çdo ditë në vend./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *