E hënë, 14 Shtator 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Dy adoleshentë në Shkodër djegin qëllimisht dy automjete, policia u gjen armë dhe municion luftarak

Ilustrim · Vizion Plus

Policia e Shkodrës ka zbardhur djegien e qëllimshme të dy automjeteve dhe ka vënë në pranga një 19-vjeçar si autor i dyshuar. Gjithashtu nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në djegien e automjeteve.

Në banesën e 19-vjeçarit Klavdo Macaj u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri mitraloz i lehtë, municion luftarak, një sasi lënde narkotike kanabis dhe veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit.

“Si rezultat i veprimeve të thelluara për zbardhjen e djegies së qëllimshme të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D., ndodhur mëngjesin e datës 09.12.2025, në lagjen “Iliria”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Traces”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autor i djegies së dy automjeteve. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në djegien e automjeteve.

Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri mitraloz, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kanabis.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh