Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dënuar me forcë episodin e dhunës ndaj mjekut të urgjencës së QSUT.

 

Në një postim në “Facebook”, Manastirliu shprehet se dhuna e ushtruar ndaj mjekut të urgjencës është barbari dhe se duhet dënuar maksimalishtë nga organet ligjzbatuese.

 

Manastirliu thotë më tej se ka propozuar një ndryshim në kodin penal me qëllim që çdo dhunë apo kanosje ndaj bluzave të bardha të konsiderohet si vepër penale.

 

“Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.Do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet. Patjetër që do të dëgjohet zëri i profesionistëve. Por unë besoj se kjo nismë është e rëndësishme  për  të garantuar respektimin e dinjitetit të mjekëve, siç ata e meritojnë.”

 

Ndërkohë nga ana tjetër lidhur me ngjarjen reagoi edhe QSUT, e cila po ashtu e kërkoi nga organet kompetente që ta trajtojnë me seriozitet ngjarjen.

 

“Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar të dielën në mesditë nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekut të rojes në Urgjencën e Spitalit Infektiv. Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *