Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji akuzoi kryetarin e PD Sali Berisha se ka marrë peng forcën më të madhe të opozitës për interesat e tij personale.
3 ditë pas rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të PD, Ervin Salianji doli në një konferencë me gazetarët për të deklaruar se PD manipuloi procesin pasi demokratët i bojkotuan këto zgjedhje dhe sipas tij nuk është e vërtetë që 39 mijë demokratë votuan në referendumin për liderin historik të PD Sali Berishën.
“Sipas monitorimit që kemi bërë në çdo degë nga demokratët që duan ndryshim, nuk kanë marrë pjesë më shumë se sa 5 mijë anëtarë”, tha Salianji.
Sipas Salianjit, kryetari i PD Sali Berisha mban përgjegjësi për situatën ku ndodhet opozita.
“Jemi të zhytur në dëshpërim për shkak të pengmarrës që i ka bërë Berisha partisë për interesat personale. Do jetë përgjegjës cilido prej kolegëve që sot hesht”, deklaroi Salianji.
Salianji lajmëroi se do të vazhdojë takimet dhe të premten ka organizuar një takim me demokratët e Tiranës.





