Partizani nuk mban avantazhin, Elbasani përmbys të kuqtë dhe feston fitoren

Partizani pëson një tjetër goditje në Superiore, duke u mposhtur 2-1 nga AF Elbasani në “Elbasan Arena”.
Të kuqtë nuk arritën të ruanin avantazhin e krijuar në pjesën e parë, ndërsa vendasit reaguan për të përmbysur rezultatin dhe për të marrë tri pikë të rëndësishme.
Partizani kaloi në avantazh në minutën e 16-të me anë të mbrojtësit Aleksandar Joviçiç, i cili shfrytëzoi një goditje dënimi të harkuar në zonë dhe dërgoi topin me kokë në rrjetë.
Të kuqtë patën mundësinë të dyfishonin shifrat, por goli i dytë i Joviçiçit në minutën e 31-të u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit nga VAR-i.
Pas këtij episodi, Elbasani vijoi të kërkonte reagimin dhe arriti të përmbyste gjithçka, duke siguruar fitoren 2-1 përballë tifozëve të tij.
Golat për Elbasanin u shënuan nga Mazari 82′ dhe Nikaj 90′.
Për Partizanin, kjo humbje e thellon krizën e rezultateve, ndërsa skuadra kryeqytetase vazhdon të vuajë për të dalë nga fundi i renditjes. Nga ana tjetër, Elbasani merr tri pikë me vlerë, që i japin më shumë besim për vazhdimësinë e kampionatit.




