Frikë për Vincent Kompanyn, përjashtohen dy diagnoza të rënda, por misteri mbetet

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, vijon të qëndrojë në spital në Mynih, pasi u rrëzua papritur në ambientet stërvitore të klubit të premten e kaluar. Sipas raportimeve të mediave gjermane, tekniku belg ka pësuar edhe një dëmtim në shpatull gjatë rënies, ndërsa mjekët vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.
Kompany, 40 vjeç, ishte duke ndjekur një seancë stërvitore të ekipit të dytë të Bayern-it, kur humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë në spital. Sipas raportimeve të mediave, ai ka shfaqur edhe episode konvulsive, ndërsa dyshohet se ka pasur dhimbje të forta koke përpara ngjarjes.
Burimet mediatike bëjnë me dije se ataku në zemër dhe goditja në tru janë përjashtuar nga mjekët, por shkaku i kolapsit ende nuk është përcaktuar përfundimisht. Trajneri belg kishte kaluar gjithashtu një infeksion viral në ditët para incidentit.
Lajmi pozitiv vjen nga stafi teknik i Bayern Munich. Ndihmëstrajneri Aaron Danks ka konfirmuar se Kompany është në gjendje të qëndrueshme dhe po përmirësohet gradualisht.
“Është në humor të mirë. Duket se po bëhet më mirë çdo ditë. Kjo është shumë pozitive”, deklaroi Danks, duke theksuar se ende nuk ka një diagnozë përfundimtare apo një datë të përcaktuar për rikthimin e tij.
Sipas raportimeve, Kompany pritet të qëndrojë larg pankinës për disa javë, ndërsa stafi i tij do të vazhdojë të drejtojë skuadrën gjatë kësaj periudhe.
Për Bayern Munich, përparësi absolute mbetet rikuperimi i plotë i trajnerit, pa nxituar rikthimin e tij në detyrë.




