Në nisje të sezonit veror, ministri Petrit Malaj dhe drejtori i Doganave, Besmir Beja deklaruan se janë marrë masa për përballimin e fluksit të lëvizjeve në Portin e Durrësit, duke përforcuar shërbimet dhe duke synuar reduktimin e kohës së pritjes për qytetarët.
“Ndodhemi sot në terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit në kuadër edhe të masave që po ndërmarrin të gjitha institucionet shqiptare për mbarëvajtjen e një sezoni të ri turistik. Është e rëndësishme që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me stafin e saj, të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të facilitojnë hyrjen e daljen e turistëve”, tha ministri i Financave Petrit Malaj.
“Besoj shumë shpejt, brenda këtij sezoni, punonjësit e doganës, veçanërisht portit Durrës, do jenë të pajisur me kamerat trupi. Kamerat e trupit do bëjnë të mundur që të transmetojnë të dhënat në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, qoftë pamjet video, qoftë pamjet audio, dhe do të sigurojnë një ndërveprim më të kujdesshëm të personelit të administratës doganore me çdo qytetar ose çdo biznes që i lidh puna me ta”, tha Besmir Beja, drejtor i përgjithshëm i doganave.
Gjatë një vizite në port, ministri dhe drejtori i Doganave nënvizuan se koha e pritjes për makinat private duhet të mos jetë më shumë se 2 minuta, ndërsa për kroçerat deri në 20 minuta.
Gjatë muajve të verës do të shtohen edhe korsitë dhe do të riorganizohet stafi në oraret me fluks të lartë, ndërsa trafiku tregtar do të ndahet nga lëvizja e mjeteve private.





