Administratori i “Konfindustrias”, Gjergj Buxhuku i cilëson jofunksionale masat që qeveria ka marrë për të përballuar krizën e çmimeve.

 

Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Buxhuku tha se edhe pas ngritjes së Bordit të Transparencës për çmimin e naftës, qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë më shumë sesa vendet fqinje.

 

“Gjendja e ekonomisë shqiptare është absolutisht e vështire dhe masat që ka marrë qeveria nuk janë funksionale deri në çastin e tanishëm. Po marrim shtyllën e parë, çmimin e karburantit. Pas vlerësimeve krahasimore rezulton që edhe pas ngritjes së bordit të transparencës ne vazhdojmë të paguajmë mjaft më tepër sesa vendet e e tjera fqinje, duke llogaritur ngarkesën fiskale të ndryshme. Çmimet e larta të karburanteve transmetohen në mënyrë të drejtpërdrejte te çmimet e mallrave të tjera, sidomos te shporta ushqimore.”

 

Për Buxhukun, Bordi i Transparencës duhej të ndryshojë mënyrën sesi është ndërtuar dhe sesi funksionon.

 

“S’duhet të ketë përfaqësues të kompanive që duhet të jenë subjekt i kontrollit nga ky bord për efekt spekulator. Nuk duhet te kemi përfaqësues nga Ministria e Financave sepse kjo ministri është e interesuar që çmimet e karburanteve të jenë sa më të larta, për të rritur arkëtimin e saj. Të ketë një ent rregullator jo në varësi të qeverisë, por Kuvendit të Shqipërisë.”

 

Sa i përket daljes në terren të deputetëve për të verifikuar nëse ka abuzime me çmimet, ai e quajti që i shërben vetëm propagandës.

 

“Kontrollet e çmimeve që ngre qeveria janë populiste. Përveç një funksioni për show, nuk kanë efekt në praktikë. Është e pamundur që në ekonomi tregu të bëhen vëzhgime në terren nga deputetë dhe përfaqësues të partisë dhe qeverisë sepse duhet të jemi në kushtet e një tregu të lirë, ku ka konkurrencë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *