Një 23-vjeçar, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Blloku 33” është arrestuar nga policia e Tiranës.
Në pranga ka rënë shtetasi A. H., 23 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Lexo edhe :
Related Posts
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Më 20 qershor, Antidroga e Tiranës goditi katër grupe kriminale. Megaoperacioni i nisur nga blutë e Tiranës i koduar ‘Blloku 33’ arriti që të dokumentojë 33 persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 25 prej tyre u arrestuan më 20 qershor, ndërkohë 8 të tjerë u shpallën në kërkim nga policia.
Kryesisht grupet kriminale shpërndanin dhe shisnin drogë në lokalet më të famshme të zonës së ish-Bllokut. Në mesin e të arrestuarve janë banakierë dhe kamarierë të këtyre lokaleve pasi ishin të përfshirë në këtë aktivitet. Klientët e tyre ishin persona të njohur dhe frekuentuesit e jetës së natës. Jo vetëm në ish-Bllok, por droga shitej edhe në zonat e tjera të Tiranës si në Selitë, Shkolla e Bashkuar etj.
Dy vëllezërit e arrestuar, Durim Gurzi dhe Artur Gurzi, ndërkohë vëllai i tretë është ende në kërkim, janë personat që siguronin kokainën dhe më pas e shpërndanin tek personat e tjerë të grupit.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar: 1 kg e 964 gramë kokainë, 450 gramë heroinë, 2 pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale./vizionplus.tv






