Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se aleatët e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik u njoftuan përpara raundit të fundit të sulmeve amerikane mbi objektivat iranianë. Kjo u bë e ditur gjatë një interviste me Fox News.
Sipas raportimeve, Trump paralajmëroi gjithashtu Iranin që të mos hakmerret, duke theksuar se portaavionët amerikan USS George Washington “është i mbushur deri në grykë” me municione dhe është gati për çdo skenar.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) konfirmoi se forcat amerikane filluan sulmet mbi objektivat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Iran në orën 12:00 të kohës lindore të SHBA-së (16:00 GMT).
Sulmet erdhën si përgjigje ndaj përpjekjeve të fundit të IRGC për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcat amerikane të stacionuara në rajon.
Trump, në postimin e tij në Truth Social dhe në bisedën me korrespondentin e Fox News, përshkroi sulmet si “të mëdha dhe të fuqishme”.
Ai tha se ato ishin hakmarrje për përpjekjen e dështuar të Iranit për të vendosur mina detare në Ngushticën e Hormuzit dhe për lëshimin e tetë raketave kundër një baze ushtarake amerikane në Jordan, të cilat u rrëzuan të gjitha.
“Nëse Irani i dështuar hakmerret për këtë sulm të justifikuar, do të goditet përsëri në një nivel shumë më të fortë dhe më të lartë, por kjo nuk do të jetë sulmi më i madh i të gjithëve që pret në krahë. Kur të mbarojë, do të mbetet shumë pak nga Republika Islamike e Iranit,” deklaroi Trump.
Ai shtoi se SHBA-ja u ka dhënë iranianëve shumë shanse dhe se sulmet e sotme goditën sisteme radari dhe objektiva të tjera në pjesën jugperëndimore të vendit, pranë Ngushticës së Hormuzit, ku iranianët po përpiqeshin të rindërtonin sistemet e tyre.





