Banorë të Vaut të Dejës kanë protestuar pranë qendrës shëndetësore të zonës, pas ngjarjes tragjike në fshatin Karmë, ku humbën jetën 46-vjeçari David Deda dhe 40-vjeçari Sokol Preka.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e lokalit në pronësi të Prekës, më 29 gusht, ku dy viktimat, elektrikisti dhe pronari i lokalit, dyshohet se ranë në kontakt me energjinë elektrike.
Protestuesit kanë ngritur shqetësime për mënyrën e reagimit të shërbimit shëndetësor, duke pretenduar se ambulanca ka mbërritur rreth një orë e 30 minuta pas njoftimit. Sipas banorëve, kjo vonesë mund të ketë ndikuar në humbjen e jetës së dy personave.
Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe mbajtjen e përgjegjësive nga institucionet përkatëse. Pretendimet për vonesën e ambulancës pritet të verifikohen nga autoritetet.
Një prej banorëve tha se zona prej muajsh përballet me mungesë të shërbimit të urgjencës dhe ambulancës.
“Dy viktima për faj të shtetit, ambulancave, qendrave shëndetësore. Le të mbajmë një minutë heshtje. Dy djem të rinj humbën jetën, ambulanca, infermierët, doktorët mungojnë. S’kemi urgjencë, ambulancë. Ka tre muaj që ky qytet s’ka ambulancë fare. Jemi 50 mijë banorë. S’kemi urgjencë, s’kemi doktorë. Një orë e gjysmë është vonuar ambulanca për të ardhur. Këtu ka vetëm infermierë, mjekë nuk ka. Vetëm paradite ka mjekë. I kanë hequr të gjithë”, tha banori.
Në protestë ishte edhe motra e Sokol Prekës. E përlotur, ajo kërkoi drejtësi për vëllain e saj dhe ngriti akuza për mungesën e reagimit në kohë të strukturave shëndetësore.
“Sot vdiqën dy djem, ishin si dy vëllezër. Dolën të pinin kafe dhe u kthyen të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston. Nuk kanë sjellë helikopter, asgjë. Kërkoj drejtësi për vëllain tim. Sot ikën ata të dy, nesër janë vëllezërit dhe motrat e dikujt tjetër. Do të çohemi në këmbë, duam që vëllezër dhe motra të tjera të mos vdesin. Ky është halli më i madh”, tha motra e Sokol Prekës.
Ajo kërkoi gjithashtu përmirësimin e shërbimit shëndetësor në zonë dhe rikthimin e funksionimit të plotë të qendrës shëndetësore.
“Qendra shëndetësore e Vaut të Dejës duhet të ngrihet edhe një herë në këmbë. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje. Shkuan për një kafe dhe nuk na u kthyen më.”
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat, ndërsa tashmë pritet që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për vonesën e ambulancës.





