“Edi Rama kërkon viktima”, Muharremi: Ta harrojë Berisha se PS lyen duart me gjak, ai duhet të japë dorëheqjen

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, ka reaguar nga studioja e edicionit informativ të orës 19:00 në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, ndaj deklaratave të bëra nga kryedemokrati Sali Berisha.
Muharremi tha se Sali Berisha duhet ta harrojë se Edi Rama do t’i lyejë duart me gjak, siç bëri ai më 21 Janar.
Sipas Muharremit, Edi Rama nuk jep dorëheqjen, pasi ka një mandat katërvjeçar nga qytetarët.
Pjesë nga biseda:
Zili: Zoti Berisha thotë se duhet një zgjidhje politike, dorëheqja e kryeministrit. A mund të merret parasysh kjo situatë, duke pasur parasysh edhe komentin e zonjës Spiropali?
Muharremi: Zgjidhja politike është që të ketë reforma ose vendimmarrje për atë që kërkojnë studentët. Një zgjidhje politike përmes dorëheqjes me dhunë nuk ndodh. Rama dhe PS-ja kanë mandat katërvjeçar dhe kanë si synim dërgimin e Shqipërisë në BE. 850 mijë qytetarë mbështesin progresin e Shqipërisë drejt BE-së, për ta bërë vendin pjesë të saj. Kemi kaluar nga faza e mbijetesës në progres.
Deklaratën e zotit Berisha për mosbindje civile, apo që Rama të lyejë duart me gjak, zoti Berisha duhet ta harrojë. Edi Rama nuk i lyen duart me gjak, si Sali Berisha. Plagëve sociale që ka shkaktuar zoti Berisha ende nuk po u japim zgjidhje. Reflektimin që kërkoi zoti Berisha duhet ta bëjë vetë. Të jetë i pari që të japë dorëheqjen, pasi ka më shumë njerëz kundër tij.




