Dëshmitë tronditëse po dalin në dritë pas mbytjes së tragetit të pasagjerëve Filo Jet, në det të hapur pranë Kyrenias, ku tetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Mes të zhdukurve janë edhe dy fëmijë të së njëjtës familje, e cila po kthehej në Turqi pas pushimeve në Qipro.
Nëna e tyre, Ajten Biçer, ka rrëfyer momentet dramatike kur humbi vajzën 12-vjeçare, Miraj. I zhdukur është edhe djali i saj 6-vjeçar, Mehmet Asaf.
“Më thoshte: Mos më lër. Dhe unë nuk e lashë vajzën time. Ju betohem, nuk e lashë.”
Ajo tregoi se gjatë kaosit në traget, një valixhe e goditi dhe humbi kontaktin me vajzën. Edhe pse arriti t’i kapte këmbën, vajza i rrëshqiti nga duart për shkak të vajit që kishte përhapur në anije.
“Gjithçka ishte e rrëshqitshme. Ishte si vaj. Më rrëshqiti nga dora.”
Edhe babai, Hajri Biçer, foli me dhimbje për humbjen e dy fëmijëve:
“Nuk mundëm të bënim asgjë. Humbëm fëmijët tanë. Dy nga tre fëmijët e mi janë zhdukur. Po i lëmë pas në këtë ishull ndërsa largohemi.”
Trageti u përmbys gjatë udhëtimit drejt Turqisë
Filo Jet po udhëtonte nga Kyrenia drejt portit Taşucu, në provincën e Mersinit në Turqi, kur u përmbys. Në bord ndodheshin 259 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi.
Udhëtimi ishte planifikuar fillimisht për të shtunën, por u shty për shkak të motit të keq. Të dielën kushtet u përmirësuan, por në zonë ende kishte det të trazuar kur ndodhi tragjedia.
Vijojnë kërkimet për “kutinë e zezë”
Anija është fundosur në një thellësi prej rreth 514 metrash, duke e bërë shumë të vështirë operacionin për gjetjen e saj dhe rikuperimin e të dhënave.
Autoritetet po përpiqen të gjejnë “kutinë e zezë”, e cila mund të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të katastrofës.
Tetë persona nga ekuipazhi, përfshirë kapitenin, si dhe një tjetër burrë, janë arrestuar në kuadër të hetimit. Autoritetet po shqyrtojnë gjendjen teknike të anijes, kushtet atmosferike dhe vendimet e marra para nisjes.
/vizionplus.tv





