Subscribe

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka dënuar ashpër sulmin me armë mbi uniformat e Policisë së Kosovës, në veri. Përmes një reagimi zyrtar, Borrell thekson se jetë të pafajshme janë në rrezik nga konflikti që po zhvillohet në veri të Kosovës.

 

Përfaqësuesi i Lartë i BE thekson se autorët duhet të vihen para përgjegjësisë.

 

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.

 

Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, shkruan ai.

 

Ai thekson se EULEX dhe KFOR janë në terren për të vendosur rendin dhe sigurinë.

 

“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.

 

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës’, thekson ai.

 

Ky është edhe reagimi i parë zyrtar nga Bashkimi Europian lidhur me sulmin në veri, ndërkaq më herët SHBA ka dënuar vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës dhe ka bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *