I shpallur në kërkim në maj të vitit kaluar për llogari të Prokurorisë së Posaçme në kuadër të dosjes Revanshi, është arrestuar mbrëmjen e së enjtes ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina.
Burimet tregojnë se në momentin e prangosjes, Morina ka qënë i shoqëruar me një person tjetër, i cili po ashtu u vë në pranga, ndërkohë që blutë i kanë gjetur një pistoletë dhe dokumente false.
Sipas dosjes së SPAK, ish-efektivi i Forcave Speciale, akuzohet se bashkëpunonte me Durim Bamin për kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.
Emri i tij doli në skenë pas operacionit Revanshi ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u lëshuan 50 urdhër-arresti.
Sipas hetimeve, dyshohet se Morina duke shfrytëzuar postin e tij brenda policisë, ka ndihmuar grupet kriminale dhe Durim Bamin për kultivimin e kanabisit, ku ndër të tjera besohet se ai paguhej nga bota e krimit edhe për dhënien e informacioneve sekrete.
Altin Morina u arrestua edhe në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte në zonën e Kodrës së Diellit iu gjetën 113 mijë euro.
Në prill të atij viti ai u lirua nga Gjykata dhe u la me detyrim paraqitje pasi paraqiti përpara togave të zeza faturën që tregonte se ia kishte marrë paratë një biznesmeni për problemet e tij personale. Në atë kohë, policia kishte dyshime se ai kishte lidhje me grupin kriminal të Ervis Martinajt.
Morina rezulton gjithashtu se është përjashtuar disa vite më parë nga Policia për ushtrim dhune dhe moszbatimin e urdhrit të eprorit, por ai u rikthye brenda sistemit policor me vendin të Gjykatës Administrative./vizionplus.tv





