Babë e bir, së bashku me një person të tretë, kanë rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se ushtronin aktivitet kriminal të falsifikimit të dokumenteve kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
Sipas hetimeve, Hashim Markaj dhe djali i tij, Sulejman Markaj, kishin përshtatur banesën e tyre në fshatin Rrushkull, Durrës për ta përdorur si laborator falsifikimi, ku në bashkëpunim me Elidon Vladin prodhonin dokumente të ndryshme të falsifikuara për persona të interesuar.
Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, i cili gjatë kontrollit sekuestroi 46 dokumente shkollore, gjyqësore, certifikimi dhe aplikimesh të dyshuara si të falsifikuara, 2 vula të dyshuara false, 6 telefona celularë dhe 3 kompjuterë që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.
Sipas Policisë, dokumentet e falsifikuara përdoreshin për procedura të ndryshme administrative, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit ose kanë përfituar nga kjo skemë.




