I penduar për atë çka kishte bërë duke thënë se nuk donte që të vriste të birin, por gjithçka sipas tij doli jashtë kontrollit, 74 vjeçari Hekuran Gjoni është marrë sërish në pyetje këtë të dielë nga policia e Tiranës.
Të moshuarit i është komunikuar edhe masa arrest me burg, ndërkohë në një gjëndje të rënduar psikologjike ai ështëm munduar të shpjegojë gjithë ngjarjen e rëndë deri në momentin kur mori thikën dhe goditi në zemër të birin 37-vjeçarin Asim Gjoni.
Sipas autorit të dyshuar, e gjithë skena ndodhur në kohën kur familja Gjoni ishte duke darkuar.
“Djali im Asimi tallet me mua prej shumë kohësh. Mbrëmë në darkë po hanim bukë në tavolinë. Djali filloi sërish të më tallte. Pasi u acarova, u ngrita dhe i gjuajtja me shpullë gjatë debatit. Më pas djali u ngrit dhe më qëlloi, ku unë u rrëzova. Në këtë moment ka ndërhyrë vajza ime, ku i bërtiti Asimit pse qëllove babin. Asimi më pas goditi dhe të motrën. Në këtë moment më janë errësuar sytë dhe u ngrita, mora thikën dhe e godita djalin”, tha ai.
Asim Gjoni, babai i dy fëmijëve, ndërroi jetë në spitalin e Traumës, pasi thika e kishte prekur në organet jetike. Sipas policisë dyshohet se gjatë konfliktit, të dy babë e bir mund të kenë qenë nën efektin e alkoolit. /vizionplus.tv





