Italia fqinje numëron 6077 viktima dhe rreth 64 mijë të infektuar nga koronavirusi por kreu i emergjencës civile, Angelo Borrelli ka dhënë alarmin se për cdo rast të konfirmuar me Covid 19 janë edhe 10 raste të tjera potenciale jozyrtare. Kjo do të thotë se numri i personave mbartës të sëmundjes në Itali mund të jetë më shumë se 600 mijë.

 

Në një intervistë për La Republica Borrelli argumenton se kjo javë është shumë thelbësore  për të kuptuar prirjen e kurbës dhe kritikoi qytetarët në rajonet veriore se e kanë neglizhuar situatën duke mos respektuar thirrjet për izolim.

 

Autoritetet italiane i frikësohen shtimit të rasteve në rajonet e tjera të vendit ku deri më tani sëmundja ka qënë më pak agresive. Kreu i institutit të shëndetit publik, Silvio Brusaferro shprehet se sjellja e  të pabinduve në këtë situatë është absurde.

 

“Vazhdoj të shoh imazhe të rrugëve plot me njerëz dhe kjo është totalisht e papranueshme. Nëse qëndrimi në shtëpi do të jetë rigoroz dhe i unifikuar, ka mundësi reale që të mos kemi një trend të ngjashëm me Veriun. Dinamika që do të marrë sëmundja në vijim varet vetëm nga sjellja jonë.”

 

Qeveria Konte ka shtuar masa të reja për ti detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, dronët monitorojnë qarkullimin ndërsa disa kryebashkiakë kanë dalë vetë në terren.

 

“Qëndroni në shtëpi” dhe nuk duhet asnjë argument më shumë.

 

Ndërkohë situata në spitale është apokaliptike, mijëra mjekë dhe infermierë janë infektuar dhe 24 kanë vdekur. Për të përballuar fluksin e madh të pacientëve janë ndërtuar spitale fushorë ndërsa 8 pacientë janë dërguar në spitalet gjermane për tu trajtuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *