Pas një denoncimi publik të bërë nga kreu i qeverisë Edi Rama, në lidhje me ndërtimin e 11 kabinave në “zemër” të Thethit, nisi aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje. Në total, në Theth do të shemben të paktën 40 ndërtime të cilat janë pa leje. Aksioni i IKMT-së ka sjellë përplasjen e banorëve me forcat e policisë dhe zyrtarët e IKMT, megjithatë pavarësisht kundërshtimit të tyre, aksioni ka vijuar.
Por çfarë do të ndodhë pas prishjes së këtyre ndërtimeve? A mundet që një investitor strategjik në të ardhmen të shkojë në zonën e Thethit dhe të bëjë një super investim?
Për të diskutuar për këtë temë, i ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, ishte ish-kreu i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia.
Ish-kryebashkiaku tha se çdo gjë duhet të bëhet në konsensus me banorët e zonës.
Pranvera Borakaj: A mundet nesër një investitor strategjik të shkojë në zonën e Thethit dhe të bëjë një super investim. A ka diçka që e pengon?
Bardh Spahia: Mungesa e titujve të pronësisë e pengon. Edhe sikur të zgjidhet problematika e titujve të pronësisë, unë sërish kam bindejn që çdolloj investimi, do të duhej të bëhej në diskutim dhe me dëgjesa publike me komunitetin e Thethit dhe Dukagjinit. Duhet të merren parasysh traditat dhe dëshira e banorëve të Thethit për të zhvilluar pronat e tyre. Asgjë e bërë nën diktat nuk mund të funksionojë, sidomos në një komunitet si ai i Dukagjinit.





