Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot Kancelarin Friedrich Merz për detyrën e re të drejtimit të qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
Kreu i Shtetit, në mesazhin e tij drejtuar Kancelarit Merz, vlerëson vëmendjen e vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
“Për Shqipërinë dhe shqiptarët Gjermania është vendi mik dhe mbështetës i përhershëm në rrugëtimit tonë evropian”, shkruan Presidenti Begaj në profilin e tij zyrtar në platformën X.
Congratulations @FriedrichMerz as the new Chancellor of Germany!
Germany remains a trusted friend and steadfast supporter of Albania and the Albanian people on our European journey.
Confident this partnership will grow even stronger under your leadership!
🇦🇱🇩🇪
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) May 7, 2025
Gjithashtu, Presidenti i Republikës, shprehet besimplotë që një mbështetje e tillë do të forcohet më tej nën drejtimin e Kancelarit Merz.
Friedrich Merz, lideri i konservatorëve gjermanë, u zgjidh ditën e djeshme kancelari i ri i Gjermanisë pas një votimi të dytë në Bundestag.
Në votimin e parë, Merz dështoi të siguronte shumicën absolute, duke mos marrë mbështetjen e duhur për vetëm gjashtë vota, një ngjarje e paprecedentë në historinë e Gjermanisë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndërkohë, në seancën e dytë të organizuar me nxitim pasditen e djeshme, 325 ligjvënës votuan pro Merz, ose 9 vota më shumë sesa shumica e nevojshme, ndërsa 289 të tjerë votuan kundër, një abstenoi e tre vota ishin të pavlefshme.
Merz tani është gati tashmë të nisë punën zyrtarisht si kancelar pasi u miratua nga Presidenti gjerman dhe bëri edhe betimin./vizionplus.tv





