Për herë të parë, partitë politike kanë vendosur në listat e kandidatëve për deputet shqiptare që jetojnë jashtë kufijve të vendit, për t’u dhënë një mundësi përfaqësimi 246 mijë zgjedhësve që janë regjistruar nga diaspora.
Vera Ndrecaj, profesoreshë e asociuar, punon në një prej universiteteve më të njohura në Britaninë e Madhe dhe vendosi të garojë për Partinë Socialiste në qarkun e Shkodrës, nëpërmjet platformës “Deputeti që duam”. Në një intervistë për Vizion Plus, Ndrecaj tregon pse zgjodhi PS.
“Pavarësisht faktit se ne jetojmë jashtë Shqipërisë, ne i ndjekim rregullisht zhvillimet në Shqipëri dhe, të jem e sinqertë, unë i jam bashkuar PS në këtë betejë elektorale sepse kam konstatuar një zhvillim të Shqipërisë nga viti 2013. Programi i PS është shumë atraktiv, lidershipi ka një vizion shumë të qartë për çuar Shqipërinë drejt Europës”, tha Vera Ndrecaj, kandidate e PS.
Ethem Aga hyri në ambasadën franceze më 2 korrik të vitit 1990 dhe prej asaj kohe jeton në Francë, ku është sipërmarrës. Zgjedhja për të garuar me PD është e thjeshtë për Ethem Agën, pasi ai gjithnjë ka qenë me Partinë Demokratike.
“Është bindja ime politike, është familjare. Kam punuar në Francë fillimisht si punëtor, pastaj si funksionar dhe pastaj si sipërmarrës. Pra, jam i djathtë, isha i djathtë para se të largohesha nga Shqipëria dhe kam mbetur i djathtë edhe në Francë”, u shpreh Ethem Aga, kandidat i PD.
Ethem Aga po punon në zonën e Farkës në kryeqytet dhe tregon për shqetësimet kryesore të banorëve të këtyre zonave, të cilat, sipas tij, vetëm PD mund t’u japë zgjidhje.
“Nuk kam lënë shtëpi pa shkuar, njerëz pa takuar, dhe gjëja kryesore është prona. Nuk kanë akoma letrat e pronave, ajo që quhet tapi, as legalizimet. Apo problemet e tjera, siç janë ujësjellësi, dritat, kanalizimet… është katastrofë në fshatrat që janë pak kilometra jashtë Tiranës”, deklaroi Aga.
Vera Ndrecaj po bën fushatë në Malësinë e Madhe dhe ajo beson se qeveria e PS do të përmirësojë arsimin për të ndaluar largimin e të rinjve.
“Përmirësimi i kualitetit të arsimit të lartë, në pikëpamjen time, do të ndikojë në emigracionin e rinisë shqiptare, sepse ne e dimë që një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare është emigracioni”, tha Ndrecaj.
Edhe pse u përkasin partive të ndryshme politike dhe kanë mendime të ndryshme për mënyrën si duhet qeverisur vendi, kandidatët e diasporës kanë besim tek vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, si faktori që do të bëjë diferencën më 11 maj.
“Unë absolutisht e shikoj si një moment historik që diaspora më në fund ka mundësi të ketë zërin e vet në parlament, sepse ne të gjithë e dimë që diaspora është një faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë”, shtoi ajo.
“Nëse një ndryshim ndodh, këtë ndryshim e bën vetëm diaspora, sepse këta janë njerëz të lirë, që jetojnë në vende demokratike, që nuk kanë asnjë lloj presioni dhe do të japin votën e tyre të lirë”, deklaroi Ethem Aga.
Një çerek milioni shqiptarë të diasporës pritet të votojnë më 11 maj. Por, pavarësisht peshës së madhe të votuesve nga diaspora, dy partitë e mëdha kanë vendosur pak kandidatë nga komuniteti i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe asnjë prej tyre nuk është vendosur në pjesën e mbyllur të listës, por në pjesën e hapur.
Mbetet për t’u parë nëse më 11 maj shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të vendit do të vendosin me votën e tyre për të çuar në parlament një përfaqësues nga diaspora.
/vizionplus.tv





