Ekspertiza paraprake e zjarrit që shkrumboi gjysmën e pallatit 12 katësh të ndërtuar nga “Arlis Ndërtim”, kompani e Armand Lilos, konfirmoi se flakët nisën nga ambientet e jashtme.
Siç duket edhe në këtë video zjarri që ra në kutitë e marketit në katin zero të pallatit, përfshiu më pas më shumë se 30 apartamente ku flakët në më pak se 1 orë shkuan deri në katin e 12.
Një pallat i ndërtuar vitet e fundit me premtimin e kushteve të sigurisë maksimale nga kompania “Arlis Ndërtim”, por nga ana tjetër fikëset e instaluara kanë qenë thjesht për dekor, pasi asnjëra prej tyre nuk ka funksionuar. Jo vetëm kaq, por edhe marketi nga ku nisi zjarri nuk ka përdorur asnjë pajisje për të shuar zjarrin. Madje pallati ka pasur sistem hidrant por edhe ai ishte jashtë funksionit dhe zjarrfikëset nuk kanë mundur të marrim ujin aty.
Skandali thellohet më tepër kur në kontratën që kompania “Arlis Ndërtim” ka nënshkruar me kontraktorin për ndërtimin e fasadës ventiluese thuhet se materialet janë antizjarr dhe kanë një garanci prej 25 vitesh, ndërkohë që ka mjaftuar një zjarr nga jashtë pallatit për të shkrumbuar totalisht dy faqe të ndërtesës dhe duke lënë në qiell të hapur dhjetra familje.
Referuar kamerave të sigurisë, disa fëmijë duket që luajnë në afërsi të marketit që u përfshi i pari nga flakët. Dy prej fëmijëve afrohen tek kartonat me mbeturina të marketit të vendosura te fasada e pallatit dhe hedhin në dukje një letër brenda. Pas 7 minutash kutitë marrin flakë. Zjarri arrin të depërtojë brenda strukturave të fasadës të objektit, ku për shkak të materialit jo të duhur të përdorur në ndërtim, flakët marrin për pak minuta duke përpirë godinën.
Për këtë ngjarje nën hetim është vënë pronari i firmës së ndërtimit ‘Arlis’ Armando Lilo i cili fillimisht iu fsheh drejtësisë, por pas disa ditësh vendosi që të paraqitej vetë në Prokurorinë e Tiranës për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Nën hetim janë dhe disa persona të tjerë si kontraktor të fsadës, administratori i pallatit etj.





