Çështja e pronave të minoritetit grek në Shqipëri është në rrugën e zgjidhjes. Kështu u shpreh, kryeministrit Edi Rama në një intervistë për median greke Kathimerini, ku shpjegoi se këto probleme nuk janë vetëm të minoritetit grek por edhe të shumë qytetarëve shqiptarë.
“Të drejtat e pronës mbeten një çështje më e gjerë në të gjithë vendin, nuk është diçka që i përket vetëm pakicës greke. Ajo që po bëjmë tani është një proces konsolidimi dhe unifikimi të kadastrës. Po bëjmë përparim dhe kohët e fundit u kemi lëshuar shumë tituj pronësie njerëzve në jug, në Himarë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë sqaroi dhe deklaratën e bërë në konferencën në Abu Dhabi në lidhje me qytetarët grekë ku tha se ata mendojnë se janë pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk janë.
“Më vjen keq që komentet që kishin për qëllim të ishin “provokuese”, më shumë për hir të diskutimit dhe me pak humor, mund të shndërrohen në çështje serioze dhe të nxisin reagime joproporcionale. Kjo më habiti. Mendoj se duhet t’i trajtojmë komente të tilla me më shumë butësi. Ato nuk kanë për qëllim të ofendojnë, por përkundrazi të inkurajojnë autosarkazmën, e cila është gjithmonë e shëndetshme. Megjithatë, tendencat nacionaliste ndonjëherë mund të shfaqen shpejt, shpesh duke reflektuar mungesë pjekurie dhe ndërgjegjësimi”, tha kreu i qeverisë.
Gjatë intervistës për Kathimerini, Rama u shpreh se me zhvillimin e turizmit në Shqipëri ka përfituar dhe minitoriteti grek që operon në atë sektor.





