Rrugëtimi i dijes për të sapoardhurin nga Greqia, Orest Kola, nisi vetëm pak kohë më parë, kur ai iu bashkua klasës së tetë në Shqipëri. Megjithatë, në një kohë shumë të shkurtër, ai ka dëshmuar një zhvillim të jashtëzakonshëm. Oresti është një nga nxënësit më të dalluar të garës kombëtare që bashkoi Shqipërinë dhe Kosovën në gjuhën shqipe.
“Në fillim gjuha shqipe ishte mjaft e vështirë të ambjentohesh me të gjithë rregullat që ka por me kalimin e kohës ngaqë edhe në Greqi kam folur gjithmonë me prindërit gjuhën shqipe edhe ishte pak më e thjeshtë të ambjentohesha, pothuajse për gati tre muaj u ambjentova mirë me gjuhën shqipe.”, tha nxënësi i shkollës “Kongresi i Manastirit”.
Për Orestin, niveli i vështirësisë në këtë olimpiadë ishte i mesëm, ndonëse ai vetë pranon se përballet ende me disa sfida individuale në përsosjen e aftësive gjuhësore.
Sinkron
“Olimpiada ka të bëjë më shumë për njohuritë që ne ta kuptojmë tekstin mirë dhe të jemi krenar për atdheun tonë dhe gjuhën shqipe. Ka ndonjëherë disa fjalë që nuk i kuptoj që duken si të reja kaq.”
Pjesëmarrësit në olimpiadë pohojnë se pyetjet e përzgjedhura ishin të një niveli të arsyeshëm dhe se diferencat dialektore mes dy vendeve ishin tejkaluar me sukses.
“Kjo ishte një garë e jashtëzakonshme duke bërë të mundur një përballje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mendoj se pyetjet në përgjithësi kanë qenë të lehta pasi kanë qenë përgjithësuese me atë që kemi mësuar.
Ka qenë teksti shumë i kuptueshëm edhe lidhja mes dialektit e gjithçka tjetër.
Pyetjet e letërsisë dominonin më shumë se ato të gjuhës. Mendoj që mbase ne nga Shqipëria mund ta kemi pak më të thjeshtë megjithatë në pjesën letrare ku u përfshinë dhe ato të dialektit toskë dhe gegë nuk ka pasur vështirësi, nuk kishte volum.
Nga ana kuptimore mendoj se nuk ka pasur probleme, mirëpo pak me analizimin e tyre.”
Në fazën finale të olimpiadës morën pjesë 84 nxënës të klasave të nënta, nga disa prej shkollave përfaqësuese të Shqipërisë dhe Kosovës.
/vizionplus.tv





