Partia Demokratike ka paditur në SPAK zëvendëskryeministren Belinda Balluku për blerjen e dy termocentraleve të lëvizshme.
Nënkryetari i PD, Gazment Bardhi, i cili garon përballë Ballukut në Fier, ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit një padi për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion. Sipas Bardhit, kjo padi përfshin dokumente që peshojnë më shumë se 11 kg.
Sipas Bardhit, ligji është shkelur, pasi fituesi i tenderit për këto termocentrale të lëvizshme është caktuar ndërkohë që procedurat e tenderit vazhdonin.
“Kompania fituese, Excelerate Energy, në regjistrat zyrtarë amerikanë ka referuar që në janar se ishte njoftuar nga shteti shqiptar për shpalljen fituese. Pra, ndërkohë që tenderi në Shqipëri ishte ende i hapur formalisht, kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse amerikane se e kishte fituar atë. Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Belinda Balluku, e shpalli fituesin në mars 2022. Besoj se askush nuk ka ndonjë dyshim se Belinda Balluku dhe ligji janë dy pika që nuk takohen askund”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit është i lartë.
“Janë shumë para! Shumë fare! Kostoja ditore e aseteve që nuk prodhojnë energji është 94 mijë e 500 dollarë. Në total llogaritet rreth 69 milionë dollarë vetëm për qiranë, operimin dhe mirëmbajtjen. Plus 2.6 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës, plus 7.2 milionë euro për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse, plus 1.7 milionë euro siguracion për Termocentralin Lundrues. Janë rreth 80 milionë euro, por kostoja është akoma më e lartë, pasi KESH ka shpenzuar miliona edhe për të bërë funksional ‘Tigrat e Belindës’ dhe për t’i lidhur ata në rrjetin energjetik shqiptar, pasi TEC-et lëvizëse operonin me një nivel të ndryshëm tensioni nga ai i sistemit shqiptar”, shtoi ai.
Bardhi ka depozituar disa padi kundër numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, dhe ka deklaruar se ai beson te SPAK, edhe pse kryetari Sali Berisha deklaroi pak ditë më parë se do të shkrijë SPAK-un.
“Kam besim te SPAK”, u shpreh ai. /vizionplus.tv





