Sokol Kraja sipërmarrës prej vitesh në tregun shqiptar është i mendimit se krijimi i një banke zhvillimi është një hap pozitiv. Çdo mekanizëm financiar që ofrohet në treg, për të mbështetur qytetarin apo sipërmarrësin është për tu vlerësuar. Por, sipas tij ekonomia nuk vuan nga mungesa e kreditimit, pasi këtë e përmbush sistemi bankar.
“Sot bankat të lusin për kredi. Sistemi bankar është me likuiditet të bollshëm. Korporatat nuk kanë problem në marrjen e një huaje në banka. Sot armiku më i madh i ekonomisë është emigrimi. Nga ky fenomen jemi të humbur të gjithë. Më pak fuqi punëtore, me pak konsum në ekonomi, më pak taksa në buxhet. Ky është halli më i madh i këtij vendi. Dhe parashikoj se me hyrjen në BE ky shqetësim do të bëhet edhe më i mprehtë, pasi e tillë ka qenë eksperienca me vendet e tjera që janë bërë pjesë e unionit“, -sqaroi Sokol Kraja në emisionin E-ZONE, në vizion plus
Kraja vijon më tej kur thotë se në këtë emigrim të lartë, shqetësim kryesor është largimi i të rinjve dhe shtresës së mesme.
Ata që po ikin janë shtresa më vitale. Ata që kontribuojnë për punë, për skemën e sigurimeve. Ndaj jam i mendimit se sot ky është halli më i madh sesa krijimi i një banke zhvillimi. Sot jemi në kushtet kur qeveria duhet të vendosë prodhimin vendas në plan të parë të politikave mbështetëse. Një ekonomi nuk mund të rritet vetëm me ndërtimin-deklaroi Kraja
Prej kohësh mes ekspertëve flitet dhe sugjerohet për një model të ri ekonomik, i cili të bazohet në prodhim, turizëm apo sektor që ofrojnë një qëndrueshmëri ekonomike, pasi ndërtimi apo real astate është një sektor me cikël.





