Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani priti sot në Tiranë, homologun e tij të Polonisë, Radosław Sikorski, vendi i të cilit do të mbajë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian për 6 muajt e ardhshëm.
Hasani e vlerësoi vizitën si një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë dhe për rrugëtimin evropian të vendit tonë.
“Diskutuam lidhur me procesin e negociatave dhe hapjen e grupkapitullit të gjashtë. Do doja ta falënderoja ministrin për mbështetjen në rrugën drejt integrimit europian. Po ashtu theksuam mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj. Më lejoni ta falënderoj edhe një herë ministrin Sikorski, Shqipëria është e gatshme të punojë së bashku dhe në të ardhmen”, tha ministri Hasani.
Ministri Sikorski theksoi se vendi ynë ka dëshmuar angazhim në reforma dhe sidomos në fushën e ligjit.
“Jemi të vendosur të mbështesim integrimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE. Do doja të përgëzoja Shqipërinë për hapat e ndërmarra së fundmi, për hapjen e grupkapitullit gjashtë. Polonia është një nga mbështetësit tuaj dhe shpresojmë që ju do të jeni shembull dhe për të tjerët në rajon. Ju keni dëshmuar angazhim në reforma dhe sidomos në fushën e ligjit, promovimit të të drejtave të njeriut dhe luftën kundër krimit të organizuar”, tha ministri Sikorski.
Të dy Ministrat konfirmuan angazhimin për të rritur ndjeshëm vëllimin e shkëmbimeve dhe investimeve, kryesisht në sektorin e turizmit dhe bujqësisë./vizionplus.tv





