Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në një konferencë me gazetaret Berisha akuzoi qeverinë se po mban të fshehtë një proces që u përket të gjithë shqiptarëve.
“Ju duhet ta dini se ka pesë muaj që në një forum në Bruksel që quhet COELA, forum shumë serioz dhe ka kaq muaj që ata mblidhen me përgjegjësinë më të madhe, raportin për Shqipërinë e shqyrtojnë dhe shtojnë vazhdimisht kërkesa mbi të. Dhe përfaqësuesi i Shqipërisë është në ato diskutime. Edi Rama fsheh çdo rekomandim të tyre”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë se me vendimet e saj po bllokon procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
“Rrugën për në BE ia mbyllin Shqipërisë ata që mbrojnë vjedhjet e qytetarëve shqiptarë”, tha kreu i PD.
Nga ana tjetër edhe pas reagimeve të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE, Berisha nuk u tërhoq nga akuzat ndaj Silvio Gonzatos.
“Unë kam respektin më të madh dhe simpatinë më të madhe për Komisionin Europian, për ambasadorët, për përfaqësuesit e vendeve anëtare.
Por në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk mund të ketë gjë në botë që më pengon mua të denoncoj atë që unë e konsideroj të papajtueshme, të drejtë”, tha ai.
Një ditë më parë të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të BE reaguan kundër Sali Berishës, duke mbrojtur ambasadorin Gonzato.





