“Nuk bëmë kurrë pushime me prindërit”, Saimir Korreshi rrëfen fëmijërinë e vështirë: Ika me 50 mijë lireta nga shtëpia

Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka rrëfyer vështirësitë ekonomike të fëmijërisë dhe sakrificat që iu desh të bënte për të ndjekur studimet.
I ftuar në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion” nën moderimin e Fjodora Fjorës, Korreshi tregoi se familja e tij përballej me kushte të vështira ekonomike dhe se pushimet me prindërit ishin një luks që nuk mund t’ia lejonin vetes.
“Ka qenë një fëmijëri që sot, kur e kujtoj, është shumë e dhimbshme. E vrullshme ka qenë realisht fëmijëria, sepse luanim, kemi qenë gjithë kohës përjashta. Sot nuk është ajo mundësi. Po unë jam munduar që fëmijërinë time t’ia bëj fëmijëve të mirë. Fëmijët e mi dalin çdo darkë me kushërinjtë e tyre, pra nuk rrinë të mbyllur në shtëpi. E kemi praktikë që të vegjël. Realisht fëmijëria ime ka qenë e dhimbshme, e dhimbshme se nuk shkonim njëherë në plazh. Domethënë, në gjithë jetën time me prindërit e mi, ne nuk bëmë njëherë pushime. Maksimumi ishte që do niseshe me atë autobusin e orës tetë dhe do ktheheshe në orën dy nga Divjaka ndonjë ditë të diel, kur kishe fat, dhe do merrje bukën me vete, do shtroheshe atje para se të nisej autobusi, të haje drekën e të niseshe me ato autobusët fizarmonikë”, u shpreh Saimir Korreshi.
Deputeti u ndal edhe te momenti kur u largua nga shtëpia për të studiuar në Itali, duke treguar se babai i tij sapo kishte kaluar një infarkt dhe se të ardhurat e familjes siguroheshin vetëm nga KEMP-i i të atit dhe pensioni i gjyshes.
“Ika me dy mendje. S’ika i qetë, e para se babai im ishte në shtëpi atë kohë, sapo kishte kaluar një infarkt, domethënë nuk punonte. Nëna ime po ashtu s’punonte. Edhe në shtëpi ishte motra dhe gjyshja. Kishim vetëm KEMP-in e babait dhe pensionin e gjyshes. Isha unë që punoja si kamarier në Lushnjë. Nuk ika i qetë, se do ulej pjesa ekonomike. Qëllimi i vetëm ishte që njëri nga fëmijët të studionte, se motra ishte më e vogël, kishte kohë. Ika me idenë: o të studioja, o do të punoja. Nëse s’do të më ecte viti i parë, do të nisja punë. Kam ikur me 50 mijë lireta nga shtëpia. Si baba m’u gjend burri i hallës. Ishin më mirë ekonomikisht se ne. Më ndihmuan me disa lekë”, tha Korreshi.
/vizionplus.tv




