Tre ditë pas ngjarjes që tronditi mbarë shoqërinë shqiptare, vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj, kreu i qeverisë Edi Rama ka folur për herë të parë.
Gjatë një deklarate për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Rama bëri thirrje që tragjedia të mos përdoret politikisht dhe kërkoi që shoqëria të jetë e bashkuar.
Lexo edhe :
Related Posts
Gjithashtu ai theksoi se si shoqëri dhe qeveri, pas kësaj tragjedie duhet të dalin me një përgjigje efektive, në mënyrë që të garantohet siguria e fëmijëve.
Rama: Tragjedia e nxënësit 14-vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës “Fan Noli” është shumë e madhe për tu futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudo elite politike dhe mediatike, e cila përdit devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat e me hallet e popullit.
Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetar për të kuptuar se gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vet të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tanë, përfshirë edhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here nxitës të hapur të dhunës.
Siguroj të gjithë prindërit se në pjesën time të frontit së bashku me kolegët e qeverisë të bëjmë të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët tanë nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur sigurinë e tyre. Nga kjo tragjedi duhet të dalim si shoqëri dhe si shtet me një përgjigje sa më efektive./vizionplus.tv







