Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, e cila u zhvillua ditën e sotme, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi për mediet se po punojnë për një sistem të ri dixhital për kontrollin e shkollave.
Deklarata e Ramës erdhi tre ditë pas vrasjes së Martin Canit, nxënësit 14-vjeçar, i cili humbi jetën pas një goditjeje me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj
Lexo edhe :
Related Posts
Kreu i qeverisë deklaroi se po punojnë me Emiratet e Bashkuara Arabe për një projekt dixhital të shkollave që ka rezultuar i suksesshëm atje.
Më tej, Rama shtoi se do të rishikohen edhe masat ndëshkuese nëse shkelet rregulli i ndalimit të telefonave në shkolla.
Edi Rama: Nga ana tjetër, siç e kam lajmëruar në fillim të vitit shkollor, kemi adresuar temën e sigurisë në shkollë. Jemi duke punuar për një sistem të ri dixhital të kontrollit të shkollave dhe të çdo klase në kuadrin e ri të sistemit kombëtar të monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të qyteteve. Po punojmë prej një viti për këtë projekt me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ky sistem është realizuar me sukses në aspektin e rritjes së sigurisë në përgjithësi dhe me rezultate mbresëlënëse në rritjen e sigurisë dhe uljen e bullizmit në shkolla.
Kemi dakordësuar dhe volumin e financimit, dhe së shpejti, do ta prezantojmë publikisht dhe do të nisim punët për zbatimin që synojmë të përmbyllim plotësisht në 20 muaj ndërkohë që hap pas hapi fillojmë pajisjen me këtë sistem. Prej vitesh kemi ndaluar hyrjen e celularëve nëpër shkolla, por është koha për të rishikuar sanksionet për shkeljen e këtij rregulli. Ndërkohë vendosja e punonjësve të sigurisë dhe psikologëve në shkollat tona ka sjellë një sërë rezultatesh pozitive të cilat do të thellohen me futjen e syve të teknologjisë në mbikëqyrjen e perimetrit të çdo shkollë dhe të çdo klase, ku prindërit do të shohin se çfarë ndodh me fëmijët e tyre sa herë do të duan të verifikojnë ecurinë apo problematikat e lidhura me fëmijët e tyre./vizionplus.tv






