Është miratuar në parim me shumicë votash në Komisionion e Shëndetësisë projektligji i Ministrisë së Brendshme për të zgjeruar listën e lëndëve narkotike. Sipas ministrit Taulant Balla, kohët e fundit në Shqipëri po qarkullojnë lëndë si dioksidi i azotit, e njohur si tollumbacet, apo lëndët sintetike që ligjërisht nuk kosniderohen si drogë. Sipas tij, zgjerimi i kësaj liste, i jep mundësinë policisë që të godasë shpërndarësit që rrezikojnë sidomos jetën e të rinjve.
Këto lëndë që ju keni përpara, jo vetëm për dioksidi i azotit nuk konsiderohen si lëndë narkotike, apo si lëndë psikotrope. Halli im dhe halli ynë është përdorimi i këtyre lëndëve nga të rinjtë. Përdorimi i tyre si lëndë psikotrope të ndalohet me ligj. Ne kemi sekuestruar sasi të konsiderueshme të dioksid azotit, por nuk kemi patur bazën ligjore për të bërë këto veprime.
Por nga ana tjetër opozita u shpreh skeptike. Deputeti i PD Tritan Shehu tha se pas këtij projektligji qëndron legalizimi i kanabisit për qëllime mjeksore.
Ky apdeitim i sotëm për mua është artificial. Ne kemi sot në Shqipëri zoti ministër 70 deri në 80 mijë përdorues droge dhe fatkeqësisht përdorimi i kanabisit fillon që në 10-vjeç. Ky është një ligj koperturë për të future kanabisin në përdorimin farmaceutik.
Ministri Balla hodhi poshtë këto pretendime duke shtuar se lufta kundër narkotikëve është ashpërsuar kohët e fundit, kjo e reflektuar edhe në aksionet e policisë.
Asnjë vend nuk ka një listë të plotë të përdoruesve të lëndëve narkotike. Në më pak se tre muaj kemi arritur që të godasim një serë grupesh kriminale të përfshira në prodhimin dhe shpërdarjen e lëndëve narkotike. Janë më shumë se 180 mijë bimë të asgjësuara me 148 autorë të arrestuar nga policia. Sa i përket shpërndarësve kemi 417 persona të arrestuar në 100 ditët e fundit dhe 73 persona të tjerë në kërkim.
Balla më heret ka kërkuar që të ketë ndryshime edhe në Kodin Penal, për të ashpërsuar sidomos dënimet e trafikantëve të lëndëve narkotike që veprojnë në afërsi të shkollave dhe institucioneve të tjera arsimore.





